E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hamasi i kërcënohet Izraelit me luftë rajonale

Udhëheqësi politik në ekzil i organizatës Hamas, Khaled Meshaal, ka tërhequr vërejtjen se në luftën e re të mundshme me Izraelin nuk do të përfshihet vetëm territori i Gazës, por i gjithë rajoni, ka shkruar gazeta Al Hayat.

Meshaal theksoi se organizata e tij nuk është e interesuar për luftë dhe gjakderdhje të re, ngase sipas fjalëve të tij, lufta e fundit ka mjaftuar. Megjithatë, ai shtoi se nëse Hamasit i imponohet një konflikt i ri, atëherë kjo organizatë do të rezistojë fuqishëm.

Gjatë vizitës së tij të fundit në Rusi, Meshaal ka akuzuar Izraelin se po kërcënohet me luftë në Gazë, Siri dhe Liban. Ai për kërcënimet e reja me luftës fajësoi kryesinë e Izraelit, para se gjithash kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahun, Ministrin e Jashtëm, Avigdor Liebermann dhe Ministrin e Mbrojtjes, Ehud Barakun.

Ai akuzoi Izraelin edhe për dështimin e përpjekjeve të Rusisë që të ndërmjetësojë mes dy palëve në negociatat paqësore. Mediet izraelite kanë njoftuar se vizita e Meshaalit në Rusi ka hidhëruar zyrtarët izraelitë, të cilët Moskës i kanë dërguar një shkresë të protestës.

Hamasi nuk ja njeh Izraelit të drejtën për ekzistencë, nuk pranon të heq dorë nga dhuna dhe nuk pranon as marrëveshjet paraprake paqësore, të cilat palestinezët i kanë nënshkruar më herët me Izraelin.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›