Kryengritësit në Kaukaz kërcënojnë Rusinë

Ka tashmë dy ditë që po vazhdon lufta në rajonet malore të Ingushetisë, në afërsi të brezit kufitar me Çeçeninë. Njësitë e Ministrisë së Brendshme dhe ato të shërbimit të fshehtë janë angazhuar në luftë kundër një grupi të kryengritësve. Gjatë luftimeve janë vrarë së paku 20 kryengritës, njoftuan autoritetet ruse.
Presidenti pro-rus i Çeçenisë, Ramsan Kadyrov, ka ofruar ndihmën e tij. Njerëzit e tij janë të gatshëm t’u bashkohen forcave të sigurisë në Ingusheti dhe të përfshihen në këtë “operacion special”, tha Kadyrov.
Luftimet, sulmet terroriste dhe vrasjet po vazhdojnë në Kaukazin Verior. Edhe pse zyrtarët rusë dhe europianë ende nuk po e shohin këtë fakt, situata është tejet shpërthyese. Krahas Ingushetisë, në rrëmujë është zhytur edhe Dagestani, ndërsa Kadyrov po tenton të krijojë përshtypjen se e ka nën kontroll situatën në Çeçeni.
Para vetëm disa ditësh, një njësi e Ministrisë së Brendshme të Rusisë u sulmua në afërsi të Urus Martanit, me ç’rast u vranë pesë pjesëtarë të kësaj njësie.
Së paku në dukje të parë, Kadyrov ruajti optimizmin e tij. Ai theksoi se “pjesa më e rëndësishme e bandave kryengritëse është shkatërruar”. Tani lufta po zhvillohet kundër elementeve të shkapërderdhura të këtyre bandave, i tha Kadyrov agjencisë ruse të lajmeve Interfax. Ai me këtë rast, me gjasë, harroi se të njëjtën gjë e kishte thënë edhe vitin e kaluar.
Edhe pse askush nuk e di numrin e saktë të kryengritësve, sipas Kadyrovit, në Çeçeni ai nuk është më i madh se disa dhjetëra. Pra, pse të bisedohet me ta? Kadyrov vitin e kaluar kishte theksuar se numri i kryengritësve është rreth 70. Që nga ajo kohë agjencitë e lajmeve kanë njoftuar në vazhdimësi për vrasje të kryengritësve, por numri i kryengritësve thjesht nuk po zvogëlohet.
Ka gjasa që numri i kryengritësve të jetë shumë më i madh. Vaha Umarov, i vëllai i kryesuesit të kryengritësve çeçenë, Doku Umarov, thotë se vëllai i tij vetëm në Çeçeni komandon 3 mijë luftëtarë. Sipas tij, në Kaukazin Verior veprojnë gjithsej 5 mijë kryengritës të armatosur. Vaha Umarov thotë se ata financohen dhe furnizohen me armë nga njerëzit e afërt me Kadyrovin. Umarov sjelljet e tyre i arsyeton me faktin se ata dëshirojnë të sigurohen, nëse ndodh që Kadyrovi një ditë të eliminohet.
Doku Umarov tani synon që emiratin e tij ta shtrijë në gjithë rajonin e Kaukazit e deri te republikat në Volgë. Në Moskë ky synim i tij është cilësuar si qesharak. Megjithatë,
Gjykata Supreme e Rusisë gjatë këtyre ditëve ka njohur në mënyrë indirekte emiratin e Umarovit, duke e ndaluar veprimtarinë e organizatës e cila zyrtarisht nuk ekziston. Dhe jo pa arsye. Kryetari i Komitetit Islamik të Rusisë, Gaidar Djemal, e cilësoi emiratin si një “strukturë me ndikim dhe një organizatë efektive”, e cila operon në Ingusheti, Dagestan, Çeçeni dhe në disa republika tjera në Kaukaz.
Organizata po mbështetet nga të rinjtë, të cilët po i bashkohen asaj, për shkak të papunësisë dhe varfërisë ekstreme. Shërbimi i fshehtë i Rusisë është i mendimit se “kjo organizatë ka lidhje edhe me Al Qaidën”.
Për Kadyrovin naiv nuk ka asnjë dyshim se Umarovi mbështetet nga shërbimet e fshehta perëndimore. Sipas tij, ato po e financojnë kryengritjen e tij për të dobësuar dhe shkatërruar Rusinë.
Kadyrov është i mendimit se pa mbështetjen e Perëndimit, organizata e Umarovit do të ishte shkatërruar që moti. Megjithatë, ai si duket nuk e kupton se copëtimi i Rusisë nuk është aspak në interes të Perëndimit. Nëse shpërthen Kaukazi, atëherë pasojat do t’i ndiente Europa.
Pra, stabiliteti në Kaukaz është në interes të europianëve, të cilët me interesim po e përcjellin punën e të dërguarit të ri të presidentit Dimitri Medvedev në rajon.
Alexander Chloponin, i dërguari i ri i Medvedevit në Kaukaz, është zyrtari i parë civil, i cili është përgjegjës për vendosjen e rregullit dhe për rindërtimin e rajonit. (Die Welt)