Hamasi nuk do ta njeh Izraelin
Organizata radikale palestineze, Hamas, nuk do ta njeh Izraelin dhe do ta forcojë rezistencën kundër shtetit hebre, deklaroi udhëheqësi i kësaj organizate në ekzil, Khalid Meshal.
Duke folur në një tubim në kryeqytetin e Sirisë në Damask, me rastin e përvjetorit të përfundimit të ofensivës tri-javore ushtarake të Izraelit në territorin e Gazës, Meshal deklaroi se Hamasi nuk dëshiron luftë të re me Izraelin, por shtoi se do ta vazhdojë luftën e armatosur, si mjet për çlirimin e territoreve të okupuara palestineze.
“Hamasi do të vazhdojë që ta kundërshtojë okupimin dhe do të vazhdojë më tutje që mos ta pranojë legjitimitetin e etnitetit sionist. Prioritet do të mbetet forcimi dhe zhvillimi i rezistencës”, tha Meshal.
Ai më tutje tha se trysnia dhe bllokada nuk do ta gjunjëzojnë Hamasin. Meshal më tutje theksoi se Gaza ende është e plagosur, se shtëpitë në këtë territor ende mbesin të shkatërruara, se ky territor ende është nën bllokadë dhe se kufijtë mbesin të mbyllur.
“Përveç kësaj, edhe Egjipti po ndërton një mur në brezin kufitar me Gazën. Sot ne nuk synojmë luftën, por nëse ajo na imponohet, atëherë do të luftojmë me tërë fuqinë”, nënvizoi Meshal.