Marinsat përfundojnë misionin në Irak
Marinsat amerikanë i dhanë fund misionit të tyre gati shtatëvjeçar në Irak, duke ja dorëzuar obligimet e tyre pjesëtarëve të armatës dhe duke sinjalizuar fillimin e tërheqjes së përshpejtuar të forcave amerikane, në momentin kur SHBA-ja po zhvendosë vëmendjen nga lufta në Irak, për ta përqendruar atë në Afganistan.
Në ndërkohë, për vizitë në Bagdad dje qëndroi zëvendëspresidenti i SHBA-së, Joe Biden, i cili zhvilloi biseda me zyrtarët irakianë, pas shtimit të tendosjeve për shkak të planit për të pamundësuar pjesëmarrjen e disa kandidatëve në zgjedhjet e përgjithshme, për shkak të lidhjeve të tyre të dyshuara me regjimin e Saddam Husseinit.
Shtëpia e Bardhë po brengoset se ndalesa mund të nxitë dilemat në lidhje me korrektësinë e zgjedhjeve parlamentare, të cilat zhvillohen më 7 mars, e të cilat konsiderohen si të rëndësishme për afatin kohor të tërheqjes së amerikanëve.
Gjatë ceremonisë të organizuar në Ramadi, marinsat amerikan edhe formalisht ja dorëzuan kontrollin në provincën e Anbarit pjesëtarëve të armatës. Anbari është një nga provincat, që në të kaluarën ka përjetuar disa prej betejave më të ashpra mes kryengritësve dhe forcave ndërkombëtare.
Presidenti amerikan, Barack Obama, ka urdhëruar tërheqjen e pjesës më të madhe të ushtarëve amerikanë deri më 31 gusht të këtij viti, me ç’rast pjesa më e madhe e ushtarëve amerikanë do të largohen nga Iraku pas zgjedhjeve të 7 marsit.