E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lëvizja Qytetare Zgjohu!, kundër planeve arsimore të Shkupit

Shkup, 23 Janar NOA - Lëvizja Qytetare
ZGJOHU! në bashkëpunim me shoqatën e Historianëve Shqiptar në Maqedoni,
Lidhjen e Arsimtarëve Shqiptar, Shoqatën e Artistëve Shqiptar, Shoqatat
"Draudacum, "Art Vizion" dhe të tjera shfaqën sot shqetësim të
thellë në lidhje me situatën në fushën e arsimit në mbarë territorin e vendit.

Përfaqësuesit e shoqërisë civile
shqiptare në Maqedoni thanë se përkrahin fuqimisht Lidhjen e Arsimtarëve
Shqiptarë, punonjësit e arsimit si dhe prindërit e nxënësve të shkollave
fillore në situatën e krijuar me imponimin e orëve të gjuhës maqedonase për
nxënësit shqiptar dhe turk që nga klasa e parë fillore.

Gjykojmë që ky vendim i Ministrit Todorov
paraqet një aventurë të një djaloshi të papërvojë në politike dhe në arsim, të
kompleksuar dhe të humbur në korridorët e Ministrisë së Arsimit dhe është në
kundërshtim me strategjinë e arsimit të miratuar në vitin 2007 nga po kjo
Ministri ku theksohet që gjuha maqedonase do të mësohet nga klasa e 4 fillore.
Gjithashtu, ky hap i Ministrit nuk është në përputhje me strategjinë
"Drejt arsimit të integruar" të përgatitur nga OSBE dhe komisarit të
saj të lartë për bashkësi etnike, Knut Vollebæk, si dhe me vizionin e një
shteti të barabartë për të gjithë qytetarët e vendit. Strategjia e integrimit
është efiçiente në rast që të gjitha bashkësitë etnike bëjnë përpjekje të
barabarta për t'u integruar në një shoqëri multietnike dhe jo me një diktat të
komunitetit që për çastin e dhënë paraqet shumicën. Njëkohësisht, ky akt
nënligjor i Ministrit Todorov bie ndesh me ligjin për arsimin fillor, neni 42
paragrafët 2, 3, 4 dhe 5 të cilët pamundësojnë mësuesin klasor të jep mësim në
gjuhën maqedonase dhe angleze për arsye të mospërgatitjes profesionale dhe
metodike të paraparë me ligj. Ky vendim imponohet në gjysmëvjetorin e dytë, pa
plan-program si dhe pa seminare pregaditëse për mësuesit që janë të domosdoshme
pas çdo ndryshimi të plan-programit.

Shoqëria civile shqiptare kërkon dorëheqjen e
menjëhershme dhe të pakusht të Ministrit Todorov për arsye të deklaratës së tij
diskriminuese që mësimi i gjuhës së tretë që nga klasa e parë fillore do të
ishte ngarkesë për fëmijët maqedonas dhe jo edhe për ata fëmijë shqiptar të të
njëjtës moshë, për arsye të vendimit arbitrar diskriminues që nuk është në
përputhje me realitetin e barabarësisë së komuniteteve, për arsye të nxitjes së
segregacionit tek fëmijët dhe shoqëria, për ngritjen e tensioneve ndëretnike si
tash ashtu edhe gjatë regjistrimit të nxënësve shqiptar në shkollat e
mesme, për arsye të nxitjes së nacionalizmit si dhe për paaftësinë e
tij në menaxhimin e arsimit.

Njëkohësisht, apelojmë me dashamirësi deri te
të gjitha palët e prekura me këtë çështje që të mos ndërmarrin hapa të nxituara
dhe të pamenduara mirë që mund të dëmtojnë zgjidhjen e drejtë të problemit të
imponuar si dhe të bashkëveprojnë me Lidhjen e Arsimtarëve Shqiptar.

Duhet gjithë bashkë të shmangim situatën ku
mësuesit dhe nxënësit shqiptar do të vendosen në ballë të fushatave politike
sepse këto kategori vitale të shoqërisë tonë shpesh janë viktimizuar nga
politika dhe më pas kanë hasur në mospërfillje edhe pse mbesin drita e kombit.

Ne konsiderojmë që të gjitha komunitetet
përfitojnë nga mësimi i gjuhëve, në veçanti gjuhën e njëri tjetrit në vendin ku
jetojmë, dhe ftojmë Qeverinë e Republikës së Maqedonisë që të shqyrtojë këtë
vendim arbitrar të Ministrit të Arsimit dhe të shtyjë zbatimin gjer në gjetjen
e një zgjidhjeje në përputhje me pëlqyeshmërinë e të gjitha komuniteteve, -
përfundon reagimi nga Lëvizja Qytetare "ZGJOHU!" në Shkup.

e.r/NOA

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›