Sulmuesit të arrestohen dhe të vihen para drejtësisë
Prishtinë, 22 Janar NOA - Këshilli për
Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut evidentoi sot faktin se pesë
persona të pakënaqur me ritet fetare që praktikohen, sipas rregulloreve të
Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), në xhaminë e Tunelit të Parë në Komunën e
Mitrovicës, kanë sulmuar fizikisht imamin e kësaj xhamie, Hamit Kamberi, i cili
ka pësuar lëndime në kokë dhe në qafë.
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe
Lirive të Njeriut (KMDLNj) tha se e dënon ashpër këtë sulm dhe posaçërisht
duke e pasu parasysh se imami Hamit Kamberi ka deklaruar se i njeh personat që
e kanë sulmuar kërkon nga organet e rendit dhe drejtësisë në Kosovë që
kryerësit e këtij sulmi primitiv të arrestohen sa më parë dhe të vihen para
drejtësisë.
Po ashtu, KMDLNj kërkon edhe një herë që të
zbulohen dhe të arrestohen e të vihen para drejtësisë personat e maskuar që më
30 nëntor 2008 patën sulmuar fizikisht në shtëpinë e tij Xhabir Hamitin,
Kryetar i Kuvendit të Bashkësisë Islame të Kosovës dhe Ejup Krasniqin,
bibliotekist i Fakultetit të Studimeve Islame në Prishtinë, - deklaroi Behxhet
Shala, Drejtor Ekzekutiv i KMDLNj-së.
a.b/NOA