E Diel, 1 Nëntor 2026

Hamdi Salihi flet si amerikan, prezantohet tek D.C. United

Nga ILIR CARA

Sulmuesi i kombëtares shqiptare është prezantuar në Uashington dhe te skuadra e re 28-vje]ari do të mbajë fanellën me numrin 9

Hamdi Salihi është futbollisti i parë shqiptar që do të luajë në elitën e futbollit amerikan, pikërisht në MLS. Në limitet e mbylljes së merkatos dimërore Salihi transferohet nga Rapidi i Vjenës tek skuadra e Uashingtonit, DC. United. Sulmuesi i kombëtares shqiptare në momentin që pranoi të transferohet në Amerikë, sqaroi se ka firmosur një kontratë 4-vjeçare me D.C. United, ku pritet të përfitojë në total rreth 3 milionë dollarë.

Të shtunën sulmuesi shkodran u pajis me vizë dhe menjëherë u nis drejt Uashingtonit. Në fundjavë Salihi ka kryer testet mjekësore dhe të hënën i është bashkuar ekipit në stërvitje. I menjëhershëm ka qenë reagimi i shkodranit, pasi ka shkëlqyer që në seancën e parë, ku u zhvillua një ndeshje kontrolli brenda skuadrës. Salihi është prezantuar me fanellën e re me numrin 9 nga menaxheri i përgjithshëm i D.C.United, Dave Kasper, si dhe trajneri i ekipit, Ben Olsen.

Hamdi Salihi ka treguar se nuk e ka problem gjuhën angleze, pasi menjëherë ka folur si amerikan: Çdo ditë që kalonte sillte ndonjë gjë të re. Oferta kisha nga Rusia, Turqia, nga disa klube në Gjermani, po asnjë prej tyre nuk ishte një klub i madh. Isha shumë pranë kalimit në Skoci, pasi më kërkonte Sëlltiku dhe Gllasgou, por ata patën probleme të mëdha financiare. Pata shumë mundësi dhe dhe oferta.

Por gjithmonë në karrierën time kam parë se cila skuadër dhe cilët njerëz më dhurojnë respekt si dhe respektojnë atë që kam bërë në të shkuarën si lojtarë. Pas gjithë përllogaritjeve që bëra në kokën time, DC United ishte mundësia më e mirë për mua. Pas përfundimit të prezantimit për mediat, Hamdi Salihi ka dhënë edhe një intervistë të shkurtër për televizionin e klubit.

Hamdi, më në fund pas disa ditësh ju keni mundur që të kryeni stërvitjen e parë më skuadrën tuaj të re…?

Në fillim dua tju falënderoj për interesimin tuaj rreth ardhjes sime. Të hënën ishte stërvitja ime e parë me skuadrën dhe gjithçka shkoi mirë, sikundër edhe unë e prisja. Takova disa shokë dhe fola me ta. Më treguan shumë gjëra. Këtu çdo gjë më duket miqësore dhe skuadra më duket e mirë. Si ditë e parë, gjithçka shkoi pozitivisht.

Padyshim që njëri prej shokëve, me të cilin ju keni folur, ka qenë Branko Boshkoviç, me të cilin keni luajtur në Austri. Çfarë ju tha ai për skuadrën dhe Ligën. Ju çfarë prisnit?

Kam folur shumë me Brankon gjatë ditëve të fundit. Ai më ka shpjeguar shumë gjëra, duke filluar nga cilësia e skuadrës, stërvitjen e shumë gjëra të tjera. Ajo që ishte më e rëndësishmja për mua, është se Branko më tha që skuadra ka uri për të fituar, që do të shkojë në play-off-e dhe se po ndërtohet një ekip i mirë. Ai më tha se do ti kisha të gjithë pranë dhe se do të më ndihmonin. Ai foli mirë dhe shumë për skuadrën.

Kur e morët vendimin për të ardhur në ligën amerikane, çfarë dinit rreth këtij kampionati? Cila është ndjesia që kanë në Austri për MLS?

Vitet e fundit, MLS është rritur shumë. Po vijnë çdo vit lojtarë të mirë dhe emra të mëdhenj të futbollit. Po ecën mirë, por ecën gjithnjë e më mirë. Tani në Europë, MLS, futbolli amerikan apo edhe përfaqësuesja e SHBA-së, po shikohet më me shumë respekt.

Kudo ku keni qenë keni shënuar shumë, shumë gola. Edhe te DC United këtë presin nga ju. E ndieni këtë presion?

Kjo është puna ime, për këtë paguhem dhe këtë duhet të bëj. Por nuk është presion. Unë dua të jap më të mirën. I njoh cilësitë dhe limitet e mia. E di se çfarë jam në gjendje që të bëj, por për të shënuar shumë gola duhet edhe fati i mirë. Unë shpresoj që së bashku me skuadrën të arrij të shënoj shumë gola për DC United.

9 është numri i fanellës që Hamdi Salihi do të mbajë edhe tek skuadra e D.C. United, numër të cilin sulmuesi shkodran e mbajti edhe tek Rapid i Vjenës.

Më 10 mars starton sezoni i ri i MLS dhe aventurën amerikane me D.C. United  Hamdi Salifi do ta nisë në shtëpi ndaj skuadrës së Kanzas Sitit

Për drejtuesit e klubit, Salihi është Nr: 9 që kërkonin prej vitesh

Drejtuesit e klubit D.C. United ndihen të kënaqur me afrimin e Hamdi Salihit tek skuadra e tyre, pasi ai është një lojtar me cilësi të mira, sulmues race, që e vëzhgonin prej kohësh. Për amerikanët e Uashingtonit Hamdi Salihi është Nr. 9 që kërkonin prej vitesh. Salihi pati oferta nga disa vende të Europës, më së shumti nga Skocia, ku problemet financiare bënë që Rejnxhers të shkojë në administrim dhe çështja e sulmuesit shkodran mori drejtim tjetër.

Menaxheri i përgjithshëm i DC United, Dave Kasper, e ka quajtur Salihin sulmuesi numër 1 që synonin në merkato.Kur një lojtari i kanë mbetur edhe 6 muaj nga përfundimi i kontratës, gjëja e parë që duhet bërë është që me atë lojtar të nënshkruash një parakontratë. Gjëja e parë që tentuam të bënim ishte që të nënshkruanim një parakontratë me Salihin dhe ai të mbërrinte në verë.

Por rrugës ndryshuam mendim dhe u vumë në sulm që ta rrëmbenim që në fillim të sezonit. Pas kontakteve të para, Salihi na tregoi se dëshiron të lëvizë në merkaton e janarit, kështu që ne u fokusuam në këtë punë. Çështja e tij u përfshi në gjithë afatin kohorë të merkatos dimërore. Në tri ditët e fundit gjërat u bënë intensive, pasi u shtuan zhurmat rreth kalimit të tij,- u shpreh Dave Kasper.

Trajneri Olsen Hamdi Salihi është një pjesë e rëndësishme për klubin tonë. Prej shumë kohësh klubi ka qenë në kërkim të një numëri 9 dhe mendoj se e kemi gjetur sulmuesin në fjalë. Rrallë na ka ndodhur që të nënshkruajmë me sulmues kaq  kualitativë, ose siç quhen ndryshe, sulmues race,- u shpreh trajneri i D.C United, Ben Olsen.

Branko Boshkoviç Mendoj së ishte koha më e mirë për Salihin që të vinte në Amerikë. Kur erdha të luaja këtu, MLS ishte në gjysmën e sezonit. Nuk kisha shumë kohë në dispozicion, por gjërat rrodhën shpejt dhe u përshtata menjëherë.

Salihi ka kohën e mjaftueshme që të njihet me ekipin, të takojë çdonjërin dhe të përgatitet për fillimin e sezonit, u shpreh Branko Boshkoviç, i cili e ka pasur shokë skuadre sulmuesin e kombëtares shqiptare edhe tek Rapidi. Boshkoviç në verën e 2010-ës la Rapidin dhe kaloi tek DC. United. Boshkoviç ka qenë njëri nga promovuesit e vlerave të Hamdi Salihit në Uashington dhe për futbollistin malazez, sulmuesi shkodran do të bëjë diferencën menjëherë.

Kris Pontius  Seanca e pare, kur shkon në një ekip të ri, gjithmonë është e vështirë, sepse je në një ambient ku nuk njeh askënd. Por unë mendoj se Salihi e kaloi mirë këtë seancë,- u shpreh mesfushori Kris Pontius.

Karriera e Hamdi Salihit

Sezoni  Skuadra  Ndeshje  Gola

2002/2003  Vllaznia  2   0

2003/2004  Vllaznia  31   14

2004/2005  Vllaznia  20   16

2004/2005  Panionios  6   0

2005/2006  Tirana  35   29

2006/2007  Tirana  17   13

2006/2007  Ried  16   6

2007/2008  Ried  33   12

2008/2009  Ried  32   18

2009/2010  Ried  7   2

2009/2010  Rapid  31   17

2010/2011  Rapid  44   25

2011/2012  Rapid  15   11

TOTALI:   289   163

2007-  Shqipëria  37   9

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›