E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hamilton ndal vrullin e Fetel, triumf në pistën e Shangait

Ljuis Hamilton ka triumfuar në Çmimin e Madh të Kinës, duke i dhënë fund dominimit absolut të Sebastian Fetel. Gara e tretë e Botërorit të Formula 1 ka qenë spektakolare dhe e mbushur me emocione e parakalime. Britaniku u bë lideri i garës 4 xhiro para fundit, duke parakaluar kampionin e botës në fuqi dhe duke marrë fitoren. Fetel u ndëshkua nga gomat e konsumuara dhe u rendit i dyti, përpara shokut të tij të skuadrës Mark Veber, që u nis nga vendi i 18-të dhe arriti të zinte një vend në podium. I pesti u rendit piloti tjetër i MekLaren Xhenson Baton, që mundi të lërë pas Niko Rozberg me Mercedes. Kjo fitore ishte e para për Hamilton që nga gushti i vitit të kaluar në Belgjikë. Fetel e nisi garën nga vendi i parë, por menjëherë u kalua nga dy pilotët e MekLaren, që zgjodhën një strategji më të saktë në nisje. Por, një pilot tepër agresiv në start ka qenë edhe gjermani Niko Rozberg, që ka përfituar nga forma e mirë e makinës Mercedes në Shangai. Gjithsesi, ai ishte i pafat, pasi pësoi një defekt në makinë. Ndërkohë, tjetër zhgënjim për pilotët e Ferrarit Felipe Masa dhe Fernando Alonso, që u renditën në vendin e gjashtë dhe të shtatë. Ata e nisën garën mjaft mirë, por makina kokëkuqe duket larg rivaleve të tjera në këtë start sezoni. Pas kësaj gare, Botërori vazhdon të kryesohet nga Sebastian Fetel me 68 pikë, i ndjekur nga Ljuis Hamilton me 47 dhe Xhenson Baton me 38.
(e.m/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›