E Shtunë, 31 Tetor 2026

Han: Dua kundërshtar të fortë për miqësoren e 19 nëntorit

Kreu i FSHF-së Armand Duka do të shfrytëzojë mbledhjen në FIFA, për të diskutuar me homologët për miqësoren

Kundërshtari i fundit i kuqezinjve (Lihtenshteini) në miqësoren e 20 gushtit, nuk i pëlqeu trajnerit Ari Han, i cili e shprehu disa herë këtë fakt, gjatë konferencave për shtyp në prag të ndeshjeve eliminatore. Dy përballjet e radhës të kombëtares sonë janë me Hungarinë më 11 tetor dhe me Portugalinë katër ditë më vonë, ndërsa më pas Shqipëria pritet të zhvillojë një ndeshje miqësore në datën e lirë të FIFA-s, më 19 nëntor. Ky test do të jetë i fundit për trajnerin kuqezi Ari Han, në kuadër të ndeshjes së radhës eliminatore, që është përsëri në transfertë, këtë herë me Maltën, më 11 shkurt të vitit 2009.

Holandezi i pankinës kuqezi, përsëri nuk ka ndryshuar mendim për sa i përket kundërshtarëve që parapëlqen për këtë miqësore. Edhe pse këtë herë nuk ka përmendur ndonjë emër konkret, gjithsesi porosinë e tij e ka lënë për FSHF-në. "Për miqësoren e 19 nëntorit, pavarësisht se ndeshje më të afërt do të kemi Maltën, nuk dua kundërshtar të një niveli, siç ishte Lihtenshteini. Kërkoj që të bëhet maksimumi, për të gjetur një kundërshtar të fortë, me të cilin të kemi se çfarë të shikojmë nga skuadra,"- ka thënë trajneri i kombëtares, Ari Han. Dhe për ta realizuar këtë, do të përpiqet pikërisht kreu i institucionit të futbollit shqiptar, Armand Duka. Ky i fundit, të hënën do të udhëtojë drejt Zyrihut, ku ndodhet selia e FIFA-s. Në mbledhjen që do të zhvillohet me presidentët e federatave, Duka do të shfrytëzojë rastin për të kontaktuar me homologët. Burime pranë tij bëjnë të ditur se me 100%, kundërshtari i miqësores së 19 nëntorit do të mësohet direkt pas bisedimeve që Duka do të bëjë në Zyrih. "Presidenti do të bëjë të pamundurën për të gjetur një kundërshtar të pranueshëm, që u shkon për shtat ideve të trajnerit Ari Han. Natyrisht, do të tentohen ekipe mesatare, jo ato të nivelit të ulët. Shanset janë më të mëdha për luajtur me një kundërshtar të fortë, pasi duke qenë se ndeshja e radhës eliminatore luhet jashtë, pritet që edhe miqësorja të luhet në transfertë. Natyrisht, emrat e mëdhenj e kanë të zënë këtë datë, por pothuajse gjysma e skuadrave ende nuk e kanë gjetur kundërshtarin,"- tregojnë burime zyrtare në FSHF. Emrat konkretë, se me kë do të tentojë të hyjë në bisedime presidenti i FSHF-së, nuk bëhen e ditura, por një gjë është e sigurt: "Trajnerit Ari Han për këtë miqësore do t'i plotësohet dëshira për një kundërshtar të fortë, natyrisht kombëtare të pranueshme, pasi një ndeshje me emra të mëdhenj të futbollit europian është gati e pamundur,"- shtojnë burime në federatë. Një pjesë e mirë e skuadrave, përjashto ato me emër, e kanë lënë për ta zgjidhur miqësoren gjatë këtij muaji, kjo në kuadër të ndeshjeve eliminatore për botërorin 2010. Më 19 nëntor, me shumë mundësi, Shqipëria do ta luajë ndeshjen miqësore jashtë fushe.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›