Ministra në ankand...
Dhe ditët e trishta
Kanë ca variante
Sa të jetë Berisha
E të shpallë ankande.
“Do t’i shes Ministrat
Si kuajt në grazhd...”
Pak a shumë kështu
E tha në Librazhd.
Ishte kjo shaka
nuk shprehte inatin
saktësisht çfarë tha
dëgjoni citatin:
“Do bëjmë investime
Dhe po s’patëm lekë
Vetë ministrin Bode
Do të nxjerr në treg…
...Do e shes ministrin
Mall me pakicë
Si dash e ka majmur
Partia me sisë…”.
Zgërdhihet Saliu
Bën shaka shejtani
Dhe me bisht të syrit
Shikon nga Ridvani.
Habitet dhe Bode:
“Ç’llomotit Saliu
Kjo shaka idiote
Vallë, nga i mbiu?!
Po gërricet me vete
Ndjerë në siklet:
“Po qe për të shitur
Pse nuk shitet vetë?!”.
Të shitet Saliu?
Ndofta nuk ja vlen
Dhe me çmime gabi
Zor se kush e blen.
Askush nuk e blen
se s’ka leverdi
që të blejë belanë
ta çojë në shtëpi.
Këta bëjnë pallë
Ne në varfëri
Këta as për vrasje
S’japin llogari.
Nuk kemi më lekë
As për një bythë pule
Shkoi treqind lekë
Një kile fasule.
Kot e vrasim trurin
E shet a e jep
Le të bëjë ç’të dijë
S’na hyn gjë në xhep.
Do ishte me vlerë
Një mendim pakice
T’i shesë gjithë ministrat
me çmime shumice.