E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ribëhet realizmi socialist

Shijaku, Dilo, Kamberi, ripikturojnë një vepër të fondit të realizmit socialist në Galerinë Kombëtare të Arteve

Ksenofon Dilo, Agim dhe Xheneta Kadillari, Skënder Kamberi, Heldi Pema, Sali Shijaku dhe Anastas Kostandini janë autorët që do të ripikturojnë veprat e tyre, në muret e një salle në rikonstruksion e sipër të Galerisë Kombëtare të Arteve. Kuratorët gjermanë André Siegers dhe Sonja Lau, duan që të kenë në fund një ekspozitë me ripikturime, një panoramë mbi shtresëzime, prandaj e kanë quajtur projektin që nis sot dhe prezantohet më 29 shtator “Ripikturimi. Një ekspozitë mbi shtresëzime”. Jo më kot autorët, disa janë ftuarnga piktorët që bënë emër në atë epokë kur arti në pjesën dërrmuese ishte i indoktrinuar dhe jo pa qëllim operacioni do të kryhet në “sallën e kuqe” kur për disa vjet kanë qëndruar të ekspozuara vepra të asaj kohe. Në këtë hapësirë që do të ribëhet në të ardhmen e afërt, nga nesër hapet studioja ku artistët do të pikturojnë njërën nga vepratqë e kanë krijuar në periudhën komuniste. Veprat e reja mund të mos ndryshojnë nga veprat origjinale, por artistët do t’i përdorin këto të fundit, si nxitës për një interpretim të ri. Si telajo do të shërbejnë muret e Galerisë. Sali Shijaku do t’i referohet pikturës së tij të famshme “Punëtorët në studion e piktorit”.

Skënder Kamberi do të ripikturojë një tablon të cilën e pat mbajtur në studion e tij. Agim Kadillari do të shfrytëzojë një pejzazh, ndërsa Xheneta një grafikë të vjetër të sajën. Veprat me të cilat do të punojnë Ksenofon Dilo dhe Anastas Kostandini do të jenë surprizë, ndërsa artisti i ri Heldi Pema ka për sjellë diçka krejt të re.

Gjatë 10 ditëve “studioja” do të jetë e hapur për publikun. Në fund të operacionit veprat do të mbulohen dhe “zhduken” përgjithmonë nën një shtresë boje. Pikërisht në këto faqe të reja muresh do të prezantohet më vonë koleksioni i përhershëm i GKA.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›