E Diel, 1 Nëntor 2026

Han, është koha për të guxuar kundër DanimarkësFormacioni i Morten Olsenit së bashku me Hungarinë kryeson 10 pikë. Ndaj danezëve kemi fituar vetëm një herë e kemi humbur pesë ndeshje

Erjon Bogdani është futbollisti i fundit shqiptar, i cili ka shënuar në portën e Danimarkës (i pari historik është Panajot Pano), por sulmuesi i Kievos, njëherësh edhe golashënuesi më i mirë kuqezi në eliminatoret e Kampionateve Botërore, 5 gola, nuk u thirr nga tekniku Ari Han, si për sfidën e humbur kundër Hungarisë (0-1, në “Qemal Stafa”) ashtu dhe për ndeshjen kundër Danimarkës, më 1 prill në “Parken Stadium”.

Shqipëria nisi përgatitjet në Kopenhagën në kuadër të sfidës së  të mërkurës me kryesuesit e grupit 1 eliminator të zonës evropiane, Danimarkën, vetëm disa ditë pasi ka humbur në mënyrë aspak dinjitoze me Hungarinë në Tiranë. Danimarka e Hungaria bashkëkryesojnë me nga 10 pikë, por hungarezët kanë një ndeshje më shumë sesa formacioni skandinav i Morten Olsenit.

Ndërsa Shqipëria pësoi humbjen e dytë kundër Hungarisë në “Qemal Stafa”, Danimarka fitoi 3-0 me Maltë në “Ta’Qali”, duke qenë kështu ekipi i dytë së bashku edhe me Suedinë (6 pikë, po aq sa Shqipëria), dy skuadrat e vetme pa humbje në grupin tonë. Me 10 pikë në katër ndeshje, Danimarka i ka të gjithë mundësitë për të shkuar direkt në finalet e Kampionatit Botëror që do të mbahet në Afrikën e Jugut në verën e vitit 2010.

Interesimi i medias daneze për gjendjen dhe synimet e ekipit shqiptar ka qenë i shumtë, nisur dhe nga fakti se Shqipëria, ndonëse është treguar e pafuqishme me ekipet e dorës së dytë si Hungaria (dy humbje) e Malta (një fitore, një barazim), është treguar një skuadër e madhe me kundërshtarët favoritë të grupit: Suedinë (0-0, në Tiranë) e Portugalinë (0-0, në Braga).

Futbollistët shqiptarë me deklaratat tejet optimiste përpara Hungarisë e me ato dëshpëruese pas humbjes me “magiarët”, dhanë sinjale se me Danimarkën do të paraqiten ndryshe. Do të luftojnë për pikë, edhe pse Shqipëria nuk ka fituar asnjëherë në tri ballafaqimet e mëparshme në Kopenhagen, atje ku kemi pësuar tri humbje e 11 gola.

Trajneri Ari Han u tregua i kujdesshëm në deklaratat e tij pas ndeshjes me Hungarinë e para ndeshjes me Danimarkën, e të njëjtat tone mbajtën edhe lojtarët, parë dhe nivelin e emrin e kundërshtarit, dikur kampion i Europës në vitin 1996.

Shqipërisë do t’i mungojë lideri i saj, Lorik Cana (i pezulluar) e Arjan Beqaj (i dëmtuar) por edhe danezëve do t’u mungojnë sulmuesi i Arsenalit, Niklas Bentdner (i dëmtuar) dhe i mirënjohuri John Dahl Tomason (po i dëmtuar). Tomason shënoi golin e dytë në fitoren 2-0 të Danimarkës në “Qemal Stafa”

Kundër Hungarisë, trajneri Ari Han për herë të parë luajti me dy sulmues, Salihin e Berishën, por Shqipëria nuk e gjeti sërish golin që i mungon prej katër takimesh (vetëm 3 gola në 540 minuta lojë). Gjithsesi, edhe Suedia me gjigantë të tillë si Zlatan Ibrahimoviç e Henrik Larson, ka shënuar vetëm 2 gola në 5 ndeshje.

Kundër Danimarkës, takimi i shtatë i përfaqësueses sonë, Han ka rastin edhe njëherë tjetër të dëshmojë se guximi për të sulmuar, duhet të jetë tipari i lojës sonë, duke shfrytëzuar aftësitë në ajër të Migen Memellit (14 gola në Superligë) e Salihin me cilësitë e tij për të kuptuar trajektoren e topit më parë se kundërshtari.

Trajneri i Danimarkës, Morten Olsen, gjatë deklarimeve të tij ka treguar respekt për Shqipërinë, duke e vlerësuar atë si një ekip i fuqishëm, ndaj të cilit duhet treguar respekt, pavarësisht se në dy ballafaqimet kundër Shqipërinë, me atë në stol Danimarka fitoi 2-0 në Tiranë (09.10.2004) dhe 3-1 në Kopenhagen (08.06.2005).

Atëherë në stolin e Shqipërisë ishte gjermani Hans Peter Brigel, por nëse paraardhësi i Oto Bariçit i udhëhoqi kuqezinjtë në një humbje dinjitoze e plot emocion në “Parken Stadium”, pasardhësi i plakushit kroat Bariç, Ari Han, duhet të bëjë të njëjtën gjë, pasi postulati më i njohur në retorikën e futbollit, thotë se mbrojtja më e mirë është sulmi.

MUNGESAT

Tre lojtarë të thirrur nga trajneri Ari Han për ndeshjet kundër Hungarisë e Danimarkës nuk janë bashkuar me grupin në Kopenhagen: portieri Arjan Beqaj (i dëmtuar), mbrojtësi Andi Lila (i dëmtuar) dhe mesfushori Lorik Cana (i pezulluar).

GJYQTARËT

Danimarkë-Shqipëri do të gjykohet nga një katërshe gjyqtarësh sllovenë me kryesor 32-vjeçarin Damir Skomina. Ndihmës të tij do të jenë Primoz Arhar dhe Marko Stancin. Gjyqtari i katërt është Robert Krajnic dhe vëshgues Ryszard Vojcik.

SHQIPËRIA KUNDËR DANIMARKËS

Portierë
1.Isli Hidi         Kryvbas Krig     9
2.Samir Ujkani         Palermo         0

Mbrojtës
3.Armend Dallku         Vorskla         30
4.Debatik Curri         Vorskla         22
5.Ansi Agolli         Tirana         8
6.Kristi Vangjeli     Aris             16
7.Endrit Vrapi         Elbasani         7
8.Elvin Beqiri         Vllaznia         41
9.Admir Teli         Karabakh         4

Mesfushorë
10.Altin Lala         Hanover 96     71
11.Ervin Skela         E.Kotbus         60
12.Gilman Lika         Hacetepe        3
13.Ervin Bulku         Kryvbas Krig     15
14.Dorian Bylykbashi     Kryvbas Krig     2
15.Elis Bakaj         Dinamo         3
16.Klodian Duro         Omonia         56

Sulmues
17.Hamdi Salihi         SV Ried         11
18.Xhevahir Sukaj     Vllaznia         1
19.Besart Berisha     AC Horsens     14
20.Migen Memelli     Tirana         0

RENDITJA
Grupi 1
Skuadra            ND    P
Danimarka         4    10
Hungaria           5    10
Portugalia        5    6
Suedia        4    6
Shqipëria          6    6
Malta            6    1

6 ndeshje, 6 pikë

Në gjashtë takimet e para ka grumbulluar gjashtë pikë. Kombëtarja jonë aktualisht ka po aq pikë sa Portugalia (5 ndeshje të zhvilluara) e Suedia (4 ndeshje). Shqipëria ka fituar me Maltën (3-0), barazuar me Suedinë (0-0, në Tiranë) dhe Portugalinë (0-0, në Braga) e Maltën (0-0, në La Valeta) e ka humbur dy herë me Hungarinë (2-0, në Budapest e 0-1 në Tiranë).

4 takime, asnjë gol

Shqipëria në gjashtë ndeshje ka shënuar vetëm 3 gola, ato kundër Maltës (Bogdani, Duro, Berisha). Kombëtarja jonë nuk e ka gjetur rrugën e golit në 5 takime, katër prej tyre rresht: kundër Hungarisë, Portugalisë, Maltën e sërish kundër Hungarisë. Vetëm një nga golat mban firmën e një sulmuesi (Erjon Bogdanit), ndërsa dy të tjerët kanë për autor një mbrojtës (Armend Dallku) e një mesfushor (Klodian Duro).

3 gola të pësuar

Është hera e parë që Shqipëria pëson vetëm 3 gola në gjashtë ndeshjet zyrtare. Nuk ka ndodhur kurrë më parë kjo gjë. Ironikisht, të tre gola janë pësuar nga Hungaria, që ka fituar 2-0 në Budapest dhe 0-1 në Tiranë. Sulmuesi hungarez i Augsburgut në kampionatin gjerman, Sandor Torgehele është autori i dy golave kundër Shqipërisë, një në “Ferenc Pushkash” e një në “Qemal Stafa”.

E Hene, 30 Mars 2009  

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›