Lala e ka me sulmin: Të shënonin!Kapiteni për Danimarkën: “Duket sikur gjithçka ka mbaruar. Shpresojmë një pikë”. “Veterani” i del në mbrojtje trajnerit: “Vendosja në fushë nuk ishte e keqe”

Jorgis Memo -Momentet e veçanta gjatë lojës, janë “thembra e Akilit” për Shqipërinë. Kështu mendon kapiteni i Kombëtares, Altin Lala. Mesfushori i kuqezinjve flet me nota kritike për lojtarët e repartit ofensiv, ndërkohë që i del në mbrojtje zgjedhjeve taktike të trajnerit Ari Han. “Sulmuesit maten me gola. Ndaj Hungarisë ata nuk bënë asgjë”, kështu është shprehur ndër të tjera 33-vjeçari, në një intervistë për “Panorama Sport”. Gjithashtu, “veterani” shprehet edhe për ndeshjen e radhës me Danimarkën.
Altin, duket se Hungaria u kthye në një makth këtë edicion. Dy humbje të paparashikuara, apo jo?
Futbolli është goli dhe ne këtë ndeshje të dytë, përsëri nuk arritëm të shënonim. Edhe në Hungari goditëm shtyllën me Skelën dhe Agollin, por nuk e gjetëm rrjetën. Këtë herë nuk është se nuk patëm raste, por ja që konkretizimi ishte i dobët. Nëse do të kishim realizuar të parët mund të kishim fituar edhe lojën. Në fund të fundit, ky është futbolli.
Domethënë, këtë herë përgjegjësia kryesore bie mbi sulmuesit?
Përgjegjësitë pas çdo humbjeje dhe fitoreje janë në grup. Nuk mund të flasim për emra të veçantë, sepse në këtë ndeshje ne gabuam edhe në mbrojtje. Por duke folur për sulmuesit, unë mund të them se ata maten me gola. E rëndësishme është që ai lojtar, që luan në këtë repart, të shënojë, apo të jap asist. Kjo gjë nuk u realizua me sukses.
Për çfarë të vjen më tepër keq pas kësaj humbjeje?
Ajo që më mërzit është fakti që hungarezët nuk luajtëm më mirë se ne. Atyre iu doli loja dhe pas kalimit në avantazh u munduan të ruanin rezultatin me të gjitha mënyrat. Në një farë mënyre, kjo Hungari duket sikur na vodhi pikët, ndoshta me meritë. Tani është e kotë të themi se nuk ishte më lart se ne, sepse na ka marrë 6 pikë. Kjo nuk na falet.
Çfarë nuk shkon në lojën e Shqipërisë, kur i duhet fitorja?
Nëse flasim për ndeshjen me Hungarinë, ne nuk e ndërtuam lojën ashtu siç e mendonim. Si ekip duhet të lëviznim më shumë, me top dhe pa top. Pas kësaj ndeshjeje, u vu re se edhe kombinimet tona nuk ishin të sakta. Duhet të lidhemi më mirë me njëri-tjetrin, për të krijuar raste. Për mendimin tim, momentet e veçanta gjatë lojës mbeten për ne “thembra e Akilit”.
Ndryshimet e shpeshta që ka bërë trajneri Han, në pozicionet e disa lojtarëve, kanë ndikuar në lojë?
Nuk besoj se ndikuan lëvizjet e trajnerit. Në syrin tim, vendosja e lojtarëve në fushë nuk ishte e keqe. Gjithsesi, në 20 minutat e para duhet ta pranojmë që e kishim të vështirë të ndërtonim lojën. Kundërshtari luajti më shumë me topa të gjatë, duke shfrytëzuar sulmuesin Torgele. Kjo mënyre loje e hungarezëve, ishte shumë e vështirë për ne.
Të mërkurën me Danimarkën, çfarë prisni?
Unë shpresoj që në Danimarkë të arrijmë ndonjë pikë. Pavarësisht se është shumë e vështirë dhe të gjithë kujtojnë se çdo gjë ka mbaruar, ne do të mundohemi të japim maksimumin. Të tregojmë se i kemi mundësitë për të bërë diçka.
Ish-shokë te Hanoveri
Humb “bastin” me Hushtin
E kishte paralajmëruar shoku i tij i ngushtë te Hungaria, Slabosh Hushti, se do të fitonte përsëri, por Altin Lala nuk mund ta besonte kurrsesi. “Fati i tij”, tha kapiteni kuqezi, duke qeshur. Si dy ish-shokë prej disa vitesh te Hanoveri, ata u takuan para ndeshjes, duke shkëmbyer batuta, nën shoqërinë edhe të Ervin Skelës.
71 ndeshje
ka luajtur deri më tani Altin Lala me Kombëtaren. Nga lojtarët aktualë të kuqezinjve, 33-vjeçari është aktivizuar më shumë nga të gjithë. Pas tij vjen Ervin Skela, me 60 ndeshje dhe 10 gola të shënuar.
E Hene, 30 Mars 2009