Han lë jashtë Bogdanin, thërret MemellinShqipërisë i janë rikthyer pas mungesës së detyruar kundër Maltës (me dëmtime), dy kapitenët zyrtarë të saj, Altin Lala (70 ndeshje me përfaqësuesen, 3 më pak se rekordmeni Foto Strakosha) dhe Lorik Cana

Han me surprizë të madhe: jashtë Erjon Bogdani (49 ndeshje, 9 gola) nga lista anti-Hungari e Danimarkë. Është Migen Memelli, golashënuesi më i mirë i kampionatit shqiptar (14 gola) befasia e madhe në kuartetin e vijës së parë, ku në një farë mënyre nga rezultatet kundër Hungarisë (28 mars në Tiranë) dhe Danimarkës (1 prill në Kopenhagen) varet edhe e ardhmja e trajnerit holandez në bankinën shqiptare.
Me thirrjen e “MM-Bomberit”, holandezi 60-vjeçar Ari Han dha një sinjal i qartë se “Malta” i ka djegur shumë dhe se nuk pyet më për emra e senatorë, teksa kërkon me çdo kusht golin kundër Hungarisë.
Vetëm 3 të tillë në 450 minuta lojë (të tre në fitoren 3-0 kundër Maltës) tregojnë varfërinë e ofensivës kuqezi, edhe pse jemi përballur me ekipe të tilla si Portugalia e Suedia.
Trajneri i Kombëtares shqiptare mesa duket nuk e ka marrë fare në konsideratë golin e realizuar nga “Er-Bomber” kundër Lacios të dielën e kaluar, duke mos e thirrur sulmuesin e Kievos në listën e 23 lojtarëve të thirrur për sfidat delikate kundër Hungarisë e Danimarkës. Gjë që praktikisht e kishte bërë më parë kundër Erjon Bogdanit edhe për ndeshjen miqësore kundër Lihteshtejnit.
Në barazimin pa gola kundër Maltës (11 shkurt 2009), Erjon Bodgani humbi një rast të pastër goli, që mund të kishte ndryshuar rrjedhën e takimit më të dobët të Shqipërisë. Ndoshta me atë mundësi të artë (të parealizuar), Bogu do t’i kishte dhënë Shqipërisë vendin e parë në grup dhe vazhdimin e ëndrrës për të qenë për herë të parë në finalet e një kompeticioni të madh.
Në ndeshjet e fundit me ekipet e tyre kanë shënuar rregullisht Hamdi Salihi me SV Ried në kampionatin austriak dhe Besart Berisha me AC Horsens në kampionatin danez. Besart Berisha (13 ndeshje, 2 gola), Hamdi Salihi (10 ndeshje, 1 gol) besohen se do të jenë në formacionin startues kundër Hungarisë, ndërsa si opsione rezervë janë Xhevair Sukaj (1 ndeshje, 0 gola) dhe Migen Memelli (0 ndeshje).
“Viktima” të mosaktivizmit vazhdojnë të mbeten Jahmir Hyka (Mainc 05, Gjermania 2) dhe Edmond Kapllani (ende pa gol te Karlsruhe në Bundesligën 1), pavarësisht se ky i fundit ishte golashënuesi më i mirë i eliminatoreve të Kampionatit Europian 2008.
Shqipërisë i janë rikthyer pas mungesës së detyruar kundër Maltës (me dëmtime), dy kapitenët zyrtarë të saj, Altin Lala (70 ndeshje me përfaqësuesen, 3 më pak se rekordmeni Foto Strakosha) dhe Lorik Cana (35 ndeshje), në superformë parë dhe performancat e mesfushorit shkatërrues kundër Ajaksit në Kupën UEFA dhe Paris Sën Zhermenit në kampionatin francez, ku Loriku shënoi edhe një gol në fitoren 3-1 të Marsejës.
Nga udhëtimi i tij i fundit “vëzhgues e verifikues” në Ukrainë, Hani u bind për të thirrur mesfushorin e avancuar të Krivbasit, Dorian Bylykbashi (i thirrur më parë edhe për miqësoren kundër Polonisë, më 27 maj 2008). Kapiteni elbasanas i Krivbasit (2 ndeshje me përfaqësuesen) ka qenë thirrur më parë dhe nga Hans Peter Brigeli e Oto Bariçi. Fantazisti 28-vjeçar mund të japë shumë për Kombëtaren.
Kampionati shqiptar përfaqësohet me shtatë lojtarë, ku dy kryesueset e kampionatit, Tirana e Vllaznia kanë bashkarisht pesë lojtarë: respektivisht Andil Lilën, Ansi Agollin e Migen Memellin (të tre të Tiranës), ndërsa shkodranët përfaqësohen me Elvin Beqirin e Xhevair Sukajn. Elbasani me Vrapin dhe Dinamo me Bakajn kompletojnë futbollistët nga Kategoria Superiore.
Në ballafaqimin e Budapestit, më 11 tetor 2008, Hungaria shënoi dy gola në pjesën e dytë, ndërkohë që Shqipëria goditi dy herë shtyllën me Ervin Skelën e Ansi Agollin. Tashmë, pesë muaj më pas në ndeshjen e kthimit në “Qemal Stafa”, Shqipëria shpreson të marrë revanshin ndaj të vetmit ekip që i ka shkaktuar humbje në pesë ndeshjet e para të fushatës kualifikuese të Kampionatit Botëror “Afrika e Jugut 2010”.
Në pesë takimet e para, Shqipëria ka fituar me Maltën (3-0), barazuar me Suedinë (0-0, në Tiranë) dhe Portugalinë (0-0, në Braga) e Maltën (0-0, në La Valeta) e humbur me Hungarinë (2-0, në Budapest), duke grumbulluar 6 pikë, një më shumë se Portugalia e Suedia, që kanë luajtur nga ana e tyre respektivisht katër e tri ndeshje.
Kundër Hungarisë kemi zhvilluar deri tani katër takime dhe bilanci është shumë negativ: 1 barazim dhe 3 humbje, madje ndaj saj kemi pësuar edhe humbjen më të thellë në histori: 12-0, në një miqësore të zhvilluar, më 24 shtator të vitit 1950 (trajner Ludovik Jakova), madje si për ters nuk kemi mundur të shënojmë qoftë edhe një gol të vockël.
Në ndeshjet e fundit ndërkombëtare (miqësore), Hungaria humbi 1-0 miqësoren me Izraelin në Tel Aviv. Goli i vetëm u shënua nga Benaion (76’), ndërsa Danimarka barazoi 1-1 në Athinë me Greqinë. Borring (49’) shënoi i pari për danezët, barazoi Gekas (61’)për helenët.
Shqipëri-Hungari, ndeshja e gjashtë ndërkombëtare e kuqezinjve në eliminatoret e Kampionatit Botëror “Afrika e Jugut”, është e tëra një sfidë “portokalli”. Qeveria e futbollit botëror, FIFA, për ta intriguar edhe më shumë sfidën midis dy teknikëve holandezë, Ari Hanit (Shqipëri) dhe Ervin Koemanit (Hungari) ka përcaktuar si “bilbil” një tjetër holandez, Bjorn Kuipers, për ndeshjen e 28 marsit në “Qemal Stafa”.
SHQIPËRIA KUNDËR HUNGARISË E DANIMARKËS
Portierë
1.Arian Beqaj Anorthosis 37
2.Isli Hidi Kryvbas Krig 8
3.Samir Ujkani Palermo 0
Mbrojtës
4.Andi Lila Tirana 5
5.Armend Dallku Vorskla 29
6.Debatik Curri Vorskla 21
7.Ansi Agolli Tirana 8
8.Kristi Vangjeli Aris 15
9.Endrit Vrapi Elbasani 7
10.Elvin Beqiri Vllaznia 41
11.Admir Teli Karabakh 4
Mesfushorë
12.Lorik Cana O.Marsejë 35
13.Altin Lala Hanover 96 70
14.Ervin Skela E.Kotbus 59
15.Gilman Lika Hacetepe 2
16.Ervin Bulku Kryvbas Krig 15
17.Dorian Bylykbashi Kryvbas Krig 2
18.Elis Bakaj Dinamo 2
19.Klodian Duro Omonia 55
Sulmues
20.Hamdi Salihi SV Ried 10
21.Xhevahir Sukaj Vllaznia 1
22.Besart Berisha AC Horsens 13
23.Migen Memelli Tirana 0
Grupi 1
Ndeshjet dhe renditja
06.09.2008
Shqipëri-Suedi 0-0
Hungari-Danimarkë 0-0
Maltë-Portugali 0-4
10.09.2008
Suedi-Hungari 2-1
Portugali-Danimarkë 2-3
Shqipëri-Maltë 3-0
11.10.2008
Hungari-Shqipëri 2-0
Danimarkë-Maltë 3-0
Suedi-Portugali 0-0
15.10.2008
Maltë-Hungari 0-1
Portugali-Shqipëri 0-0
11.02.2009
Maltë-Shqipëri 0-0
28.03.2009
Maltë-Danimarkë
Shqipëri-Hungari
Portugali-Suedi
01.04.2009
Hungari-Maltë
Danimarkë-Shqipëri
06.06.2009
Shqipëri-Portugali
Suedi-Danimarkë
10.06.2009
Suedi-Maltë
05.09.2009
Danimarkë-Portugali
Hungari-Suedi
09.09.2009
Hungari-Portugali
Maltë-Suedi
Shqipëri-Danimarkë
10.10.2009
Portugali-Hungari
Danimarkë-Suedi
14.10.2009
Danimarkë-Hungari
Portugali-Maltë
Suedi–Shqipëri
Grupi 1
Skuadra ND F B H G+ G- P
Danimarka 3 2 1 0 6 2 7
Hungaria 4 2 1 1 4 2 7
Shqipëria 5 1 3 1 3 2 6
Portugalia 4 1 2 1 6 3 5
Suedia 3 1 2 0 2 1 5
Malta 5 0 1 4 0 11 1
BALLE PER BALLE ME HUNGARINË
RENDITJET E MUAJIT MARS 2009
Renditjet në FIFA
Shqipëria e 80-a
Hungaria e 48-a
Vende: 205
Renditjet në UEFA
Shqipëria e 37-a
Hungaria e 26-a
Vende: 53
BILANCI ME HUNGARINË
20.08.1947
Tr.: Ljubisha Broshiç
Hungari-Shqipëri 3-0
(Kam. Europës Qëndrore)
23.05.1948
Tr.: Adem Karapici
Shqipëri-Hungari 0-0
(Kam. Europës Qëndrore)
24.09.1950
Tr.: Ludovik Jakova
Hungari-Shqipëri 12-0
(Miqësore)
11.10.2008
Tr.: Ari Han
Hungari-Shqipëri 2-0
(Elim.Kamp.Botëror 2010)
Bilanci: 4 takime; 0 fitore, 1 barazim, 3 humbje. Golat 0-17
E Marte, 17 Mars 2009