E Shtunë, 31 Tetor 2026

Han prezantohet me ekipin, sot miqësorja e parë

 

Trajner holandezi kombëtares ka zhvilluar stërvitjen e parë me kuqezinjtë. Sot, në 18:30, testi me Shafhauzenin

Trajneri Ari Han ka bërë dje prezantimin me futbollistët e kombëtares. Këta të fundit u nisën dje nga aeroporti "Nënë Tereza", në 06:15 të mëngjesit, dhe mbërritën në Shtutgart rreth orës 10:30. Kuqezinjtë menjëherë u sistemuan në kampingun "Kirken Hausen", që ndodhet në zonën e Reutlingenit. Hoteli "Sternen" do të jetë rezidenca e tyre në këto 8 ditë grumbullim jashtë Shqipërisë. Ekipi, i shoqëruar nga përgjegjësi Hito Hitaj dhe zyrtarë të tjerë të FSHF-së, pas një pushimi të shkurtër, u prezantua me stafin teknik, i cili, përveç masazhatorit shqiptar Ylli Mihali, është "i ngjyrosur" në portokalli. Duke qenë se Shqipëria ka qenë e pezulluar nga aktivitetet ndërkombëtare dhe nuk ka pasur mundësi të luajë gjatë kësaj periudhe, për trajnerin Ari Han, ndihmësin e tij Jakob De Jong dhe përgatitësin e portierëve Nikolas De Bre, ky ishte prezantimi i parë me futbollistët e kombëtares. Edhe për këta të fundit ishte e njëjta gjë. "Trajneri u bëri të ditur lojtarëve programin dhe kërkoi nga ata një angazhim maksimal, sepse koha e humbur duhet të rikuperohet sa më shpejt. Si Ari Han, ashtu dhe lojtarët kanë nevojë për të njohur njëri-tjetrin. Në 16:30 u zhvillua edhe stërvitja e parë, e cila ishte e një karakteri shkrydhës, sepse edhe futbollistët ishin pak të lodhur nga udhëtimi. Vendi ku jemi të grumbulluar ka kushte ideale për gjithçka dhe lojtarët kanë ngelur të kënaqur,"- bën të ditur nëpërmjet linjës telefonike nga Gjermania, shefi i kombëtares Hito Hitaj. Sipas informacioneve, trajneri Ari Han është treguar tolerant dhe u ka bërë të ditur përgjegjësve të kampingut, se kushdo që do të shikojë nga afër kombëtaren shqiptare është i lirë ta vizitojë.

Ndërkohë, sot, në 18:30, kombëtarja do të luajë testin e parë miqësor, ku përballë do të ketë ekipin e kategorisë së dytë zvicerane, Shafhauzen. Holandezi i kuqezinjve do të ketë mundësinë që për herë të parë të përzgjedhë 11 lojtarë. Pra, që sot, duket se do të nisë epoka e Ari Hanit si trajner i kombëtares. Ndaj inferiorëve të Shafahauzenit, një ekip ku luajnë edhe tre lojtarë kosovarë, për Hanin do të jetë një test kontrolli në prag të miqësores zyrtare me Poloninë, që do të zhvillohet më 27 maj. Nga kampingu i kombëtares drejt Shafahauzenit është pak kilometra dhe udhëtimi do të bëhet me autobus.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›