E Diel, 1 Nëntor 2026

Humanizëm çarmatosës

 

Pasi u shfaq në Ekranin e Festivalit në Kanë, është komentuar pozitivisht filmi i vëllezërve Dardenne, "Le silence de Lorna", ku interpreton aktorja kosovare Arta Dobroshi

Është komentuar pozitivisht filmi i vëllezërve Dardenne dhe padyshim edhe loja e aktores kosovare Arta Dobroshi. "Lë silence de Lorna" u shfaq të hënën në ekranin e madh të Festivalit të Filmit në Kanë. Historia e një emigranteje shqiptare ka korrur duartrokitjen e publikut dhe të nesërmen ka pushtuar faqet e shumë mediave franceze e italiane. Sipas francezes "Le Figaro", Dardenët nuk i janë larguar stilit të tyre edhe në këtë film, duke i paraqitur personazhet si "të burgosur të fatit të tyre, por të çliruar më pas nga ndërgjegjja e tyre". Ata vlerësojnë mënyrën e pakrahasueshme se si regjisori e drejton filmin, e konsideruar një "aventurë të dhimbshme", drejt një humanizmi çarmatosës. "Le Monde" ka vënë në dukje nivelin e lartë me të cilin paraqiten sërish vëllezërit Dardenne. Aktoren kosovare e kanë konsideruar një tjetër zbulim të regjisorëve. Shumë komente ka pasur edhe nga media italiane. "U shfaq "Lë silence de Lorna" i Jean-Pierre dhe Luc Daedenne, një film që ofron vëllezërit belgë me Palmën e tretë të Artë. Tashmë është e kotë të flasësh për bukurinë unike të gjuhës së tyre, ndërtuar mbi fokusimet e ftohta, por që nxehen menjëherë nga emocioni", - shkruhet në "Il Giornale di Vicenza", teksa e komenton "Heshtjen e Lornës si një film që flet për mafian, trafikun dhe martesat e rreme. Ndër të tjera, përmendet edhe loja e protagonists, e cila interpretohet nga "një shqiptare e re, Lorna, emrin e së cilës mban edhe filmi (e talentuara Arta Dobroshi)". Një tjetër gazetë italiane e ka quajtur filmin e Dardenneve një "histori emigracioni, dhune dhe varfërie". Duke komentuar fjalët e një prej regjisorëve, Luc Dardenne "personazhi i Lornës bëhet gjithnjë e më shumë njerëzor dhe pozitiv gjatë gjithë ngjarjes, që në fund na zbulohet si një histori dashurie". Për "Il Giornale", që i ka quajtur vëllezërit belgë një "institucion lokal", filmi ka të njëjtat karakteristika si filmat e mëparshëm. Sfond urban, dëshirë për para, gatishmëri përtë shitur trupin. Sipas tyre, nuk ka asgjë të vërtetë në historinë që tregohet, apo në personazhe. Por sipas "Il Gazzettino-s", "Heshtja e Lornës", që shënon edhe kthimin e vëllezerve belgë është pak "ajër i pastër" në konkurrimin e Kanës. "Të dish të shkruash dhe të tregosh. E çuditshme se si këta autorë dinë të zhvillojnë me një kthjelltësi stilistike dhe dramaturgjike një ngjarje tërësisht të zakonshme të kohëve tona". Personazhin e Lornës e kanë konsideruar si një tjetër figurë dardeniane, prekëse dhe tërheqëse. Për "Il Mattinon" ka mundësi që Palmën e Artë ta fitojnë pikërisht Dardenët. "Heshtja e Lornës" ka marrë shumë duartrokitje të vërteta dhe prekëse. "I thatë, i pamëshirshëm, më "i vërtetë se e vërteta", filmi i ngjan gjithë filmave të firmosur nga vëllezërit nga Liegi", - shkruan kjo gazetë.

"Le silence de Lorna" është më së shumti një dramë emigracioni. Lorna është një emigrante shqiptare, e cila është bërë qytetare belge, falë një martese të sajuar me Klaudin (Jérémie Renier, aktor i preferuar i regjisorëve) një i ri i droguar. Ajo, që punon në një lavanderi është dashuruar me një bashkëkombasin e saj që punon nëpër Evropë për të realizuar ëndrrën e tyre, për të hapur një bar. Lorna varet nga Fabio, një taksist italian, që i realizon martesën e rreme dhe është gati të vrasë Klaudin për ta martuar Lornën me një rus, në kërkim të një lejeqëndrimi në Belgjikë. Por ndodh që i riu belg është dashuruar me shqiptaren dhe ajo gjithashtu, pak përpara se ai të vritej për të ndjekur planin, për të cilin ajo ishte në dijeni. Lorna ka tanimë paratë që i duhen për të hapur lokalin, por është shtatzënë me Klaudin. Vendos të mbajë fëmijën, humbet të dashurin, refuzon rusin dhe Fabio vendos ta vrasë, por ajo vendos të arratiset për hir të fëmijës që mban në gji dhe kujtimit të një njeriu që e donte.

E ndërsa komentet janë më së shumti pozitive për filmin e dardenëve, ka marrë shuplaka kinemaja italiane. Mësohet se është dezertuar shfaqja e parë për mediat e filmit «Sanguepazzo» me regji të Marco Tullio Giordana, kushtuar çiftit Luisa Ferida (1914 - 1945) e Osvaldo Valenti (1906 - 1945). Dhe më e keqja është që edhe prej atyre pak të pranishmëve, gjysma është larguar përpara fundit të filmit 148 minutësh, të konsideruar si më pak profesionalin e shfaqur ndonjëherë në Kanë. "Fakti është që ndërsa kinemaja botërore zhvillohet, kinemaja italiane mbetet në vend, ka ndaluar në klishetë e televizionit të vjetër, e përkeqësuar nga paaftësia aktoriale e pjesës më të madhe të pseudoaktorëve italianë dhe kjo tregon qartësisht për mungesën e shkollës së duhur dhe zakoneve provinciale". Kështu shkruan "Il Giornale di vecenza", e cila nuk kursen kritikat për Monica Bellucin, që ha fjalët, apo për interpretimin recitativ të Luca Zingarettit. Filmi është quajtur "konfuz dhe i mërzitshëm, as historik dhe as spektakolar" edhe pse ka në qendër dy figura shumë të njohura në historinë e Italisë fashiste.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›