Gota dykombëshe
Në ditën, kur në të gjithë botën përkujtohet Holokausti, që shkaktoi rreth 6 milionë viktima mes popullsisë hebreje, në Shqipëri zbulohet një objekt, që tregon edhe njëherë solidaritetin dhe bashkëjetesën mes dy popujsh. Bëhet fjalë për një gotë pijeje e përdorimit të përditshëm, prej argjendi, të cilën e ruan me shumë fanatizëm një antikuarist durrsak. Motive hebraike e shqiptare gërshetohen në një objekt të vetëm. Në pjesën e sipërme të saj është vënë datimi 1911. Mbishkrimet në gotë janë të gdhendura me metodën e incizimit mbi argjënd dhe i përkasin gjuhës shqipe. Ndërsa pikturat, gjithashtu të incizuara me motive floreale, janë të një niveli cilësor të shkallës së mesme për nga niveli artistik. Ngjajnë me motivet turke dhe arabe, por në rastin e këtij objekti pikturat floreale kanë elementë të kulturës anzhuine. Rreth 2 cm larg vitit të gdhendur qëndron edhe emri ZEKIJO, i cili mund të përkojë edhe me emrin ZEKERIJA, emër ky tepër i ndeshur në të dy popujt. Edhe në veri të Shqipërisë, në popullsinë katolike, ky emër gjendet shpesh në variantin Zekë. Poshtë emrit të shënuar, që mund të jetë në këtë rast i pronarit të gotës, ose i mjeshtrit që e punoi në farkë, gjendet dhe një mbishkrim, që në rastin më të mirë mund të jetë dhe një këshillë që i jepet një të riu, kur niset për në udhëtim, ose kur ndeshet me një problem. Shënimi i gdhendur me shkronja të mëdha dhe i përsëritur 2 herë radhazi i kujton atij që i është dhënë se "Jemi të varfër". Në përsëritjen e dytë shkrimi është më i cekët në argjend. Pas një ndërprerjeje të lehtë me një motiv te gërricur me brisk, që gjëndet dendur në kutitë e duhanit të pleqve të Labërise, por dhe në veri, shënimi vazhdon i bashkëngjitur "DUHETMEJTIM". Shkrimi ndërpritet nga një lule e stilizuar, pas të cilës qëndron një zog. Mbase artisti i përbashkët i të dy kulturave popullore ka dashur që të theksojë se mendimi është një zog që duhet të qëndrojë në arsye të mirë për të shpëtuar nga varfëria. Në pjesën fundore të gotës së argjendtë është gdhendur lehtë edhe ylli me gjashtë cepa, simbol i popullit hebraik, i njohur si ylli i Davidit. E gjithë gota është e prodhuar me argjend të varfër. Lartësia është rreth 11 cm dhe pesha rreth 600 gram. Ajo duhet të jetë prodhim autokton, pasi është bërë e gjitha me metoda artizanale. Është thesht një fletë argjëndi që është salduar me metoden e saldimit me nxemje në forxhat e kovaçanave primitive të mjeshtërve lokalë. Antikuaristi që e ruan këtë objekt në qytetin e Durrësit, thotë se gotën me motive shqiptaro-hebraike e ka blerë në fillim të viteve '90 në një fshat në afërsi të Delvinës. Dhe kjo përbën një rastësi që flet shumë. Në këtë zonë është gjendur edhe rrënoja e një sinagoge që i përket lashtësisë dhe kjo në themelet e Onheizmit të dikurshëm, ku shtrihet qyteti i Sarandës. Çka flet për një vazhdimësi bashkëjetese dhe miqësie të vjetër mes dy popujve tanë. Edhe kjo gotë është një copëz solidaritet, i treguar nga shqiptarët në strehimin dhe ruajtjen e popullsisë së rrezikuar hebreje gjatë luftës së II Botërore.