Mançesteri dhe Çelsi, sot për lavdinë në Moskë
Luhet sot finalja e parë e gjitha angleze, në Ligën e Kampioneve. Fergusoni përballë Grantit
Mançester Junajtidi do të zbresë sot në fushë ndaj Çelsit për finalen e Ligës së Kampionëve, duke pasur epërsinë psikologjike të lënies së londinezëve në vendin e dytë të Premier Ligës. Për të dytin sezon radhazi Junajtidi përballet me "blutë" në një finale kupe si kampionë të saposhpallur të Anglisë, prandaj edhe sot do të përpiqen, si zakonisht, për t'ia prishur festën Çelsit. Gati një vit pasi Çelsi i mori Junajtidit Kupën e Anglisë, në finalen e parë të kupës kombëtare luajtur në "Uemblin" e ri, dy klubet kryesore të Anglisë do të përballen për çmimin më të rëndësishëm të kontinentit të vjetër. Audienca televizive nga e gjithë bota duhet të lutet me dëshpërim, që takimi i sotshëm në "Luzhniki" të Moskës të mos ketë asnjë lidhje me mërzinë e përballjes së vjetshme në "Uembli", ku asgjë nuk ndodhi derisa Didie Drogba shënoi golin e vetëm të takimit, katër minuta para fundit të kohës shtesë. Një vit ka kaluar dhe dy skuadrat janë sërish në të njëjtin nivel, prandaj vështirë të mposhten kollaj dy reparte mbrojtëse kaq të forta. Edhe pse Junajtidi ka treguar futboll më të bukur, duke shënuar 109 gola në të gjitha konkurrimet e këtij sezoni, njerëzit pritet të shohin një ndeshje më të ngjeshur e më të barazpeshuar. Çelsi parapëlqen një lojë më të kujdesshme e me çaste vendimtare, ku e godet pa mëshirë kundërshtarin.
TALENTET E MEDHA
Natyrisht që të gjitha këto mund të ndryshojnë nga një gol i shënuar në minutat e para ose nga një shpikje gjeniale e ndonjërit prej talenteve të mëdha në fushë. Kristiano Ronaldo është udhëheqësi i ambicieve të Junajtidit në Premier Ligë dhe Ligën e Kampionëve me 41 gola të shënaur në të gjitha ndeshjet. Ai, Runi dhe Tevez kanë shënuar 57 nga 80 golat e Junajtidit në kampionat, ndërsa në total kuota e tyre shkon në 78. Askush nuk ka shënuar kaq shumë për Çelsin. Kryegolashënues i londinezëve është Frenk Lampard me 19 gola sezonalë, ndërsa sezoni i Drogbasë me 15 gola mund të konsiderohet mesatar. Ama, Junajtidi nuk do ta nënvlerësojë kërcënimin që vjen nga mesfusha e Çelsit, pasi Xho Kol e Mikael Balak janë përherë në gjendje për të shënuar. Gjermani, pas 18 muajsh të dobët në "Stemford brixh", ka nisur të luajë shkëlqyeshëm, gjë që e vërtetoi ndaj Junajtidit tri javë më parë me dy golat e shënuar në fitoren 2 1. Edhe Junajtidin e ndihmojnë golat e mesfushorëve, gjë që dëshmohet nga goditja e bukur e Pol Skolsit nga 25 metra, që vendosi gjysmëfinalen e Champions it të luajtur ndaj Barcelonës në "Olld Treford" muajin e kaluar.
KONTRAST I DUKSHEM
Kontrasti midis dy skuadrave nuk duket vetëm te stili i tyre i lojës; zor se mund të gjesh një kontrast më të madh, në aspektin e trajnerëve. Aleks Ferguson e udhëheq Junajtidin që prej 22 vitesh, duke drejtuar në 151 ndeshje të Ligës së Kampionëve, shto këtu edhe 12 të përjetuara në Kupën e vjetër të Kampionëve me Abërdinin. Ai ka fituar tashmë 28 kupa me Junajtidin, ndërsa suksesin e parë europian e provoi me Abërdinin 25 vite më parë. Trajneri i Çelsit, Avram Grant, ka përvojë në 15 ndeshje të Ligës së Kampionëve - 11 me Çelsin dhe nga dy me Makabin e Tel Avivit dhe Makabi Haifan - dhe e drejtoi skuadrën e Abramoviçit që pas ikjes së Hoze Murinjos shtatorin e kaluar. Ai nuk e ka fituar ende kupën e parë me klubin. Junajtidi do të marrë me vete në bagazhe edhe të kaluarën e tij. Këtë vit është 50 vjetori i tragjedisë ajrore të Mynihut, që vrau shumicën e lojtarëve të "djajve të kuq". 10 vite iu deshën Mat Bazbit që i mbijetoi përplasjes së avionit, për ta rindërtuar klubin dhe skuadrën, duke i udhëhequr drejt fitores së parë të Champions it 40 vite më parë, që bëhen këtë muaj, kur fituan ndaj Benfikës në "Uembli". Fergusoni barazoi arritjet e Bazbit, kur e drejtoi Junajtidin në fitoren e pabesueshme ndaj Bajernit në Barcelonë në vitin 1999. Çelsi, ndërkohë dëshiron t'ia shpërblejë pronarit miliarder rus Roman Abramoviç, duke e fituar kupën më të rëndësishme të Europës në kryeqytetin e atdheut të tij. Nëse mëngjesi i nesërm do t'i gjejë duke festuar fitoren e Ligës së Kampionëve, atëherë humbja e titullit në favor të Junajtidit do të jetë një zhgënjim tepër i pranueshëm.