Hans Troschel, piktori gjerman që u dënua me 30 vite burg në Shqipëri

Fotot e Hans Troschel dhe Elsa Koch, marre nga dosja e procesit gjyqesor, zhvilluar ne vitin 1945
“U ktheva në Shqipëri dy herë dhe u dënova dy herë. Herën e parë si antifashist dhe të dytën si vegël e nazistëve.”Në ato pak shënime që ka lënë Hans Troschel, piktori gjerman që u dënua me 30 vjet burg në vendin tonë pas çlirimit, përjetimet nga ditë-netët e qelive shqiptare zënë pjesën kryesore të kujtimeve të tij. I rikthyer në Berlin në mesin e viteve 50, falë amnistisë së përftuar nga marrëveshja historike Hrushov-Adenauer, për faljen e të dënuarve që nuk ishin përfshirë në krime lufte, i njohu të afërmit me pjesën e panjohur të jetës së tij në Shqipërinë e largët, ku bashkëjetojnë si rrallëkund mrekullia dhe ferri. Dy kreshpat e larta të kujtimeve nga vendi i shqiponjave, në kujtesën e tij ishin fiksuar dy rastet e prangosjes, fillimisht në pragun e pushtimit fashist dhe pastaj fill pas kapitullimit të Gjermanisë naziste. Hans Troschel kishte mbërritur në Shqipëri në vitin 1938, pas një përpjekje të mundimshme, vetëm e vetëm ti shpëtonte barbarisë naziste. Streha e re, më shumë se qetësinë e kërkuar, do ti ofronte hapësira interesante eksplorimi. Vetëm në pak muaj mysafiri nga Berlini u bë i njohur në rrethin e intelektualëve më në zë për pikturat e spikatura dhe studimet në fushën e gjeografisë. Kreshendoja e sukseseve të mikut të Eqrem Çabejit, Hasan Cekës, Ethem Carës, Omer Nishanit, Ndue Palucës dhe Vehip Hoxhës, pësoi atakun e papritur me pushtimin e vendit nga Italia fashiste. Madje jo vetëm kaq, por piktori gjerman nuk mund ti shpëtonte ofensivës së

Çaste nga gjykimi i të huajve në Tiranë
okupatorit që ndiqte nga afër çdo përpjekje për qëndresë dhe rezistencë antifashiste. Revolta publike e Troschil-ës për mënyrën shfrytëzuese të pushtuesit ndaj pasurive të vendit, i kushtoi prangosjen e menjëhershme dhe më vonë dëbimin drejt vendlindjes. Shpërthimi nazist i Gjermanisë hitleriane e risolli sërish në Shqipëri, por këtë radhë të mobilizuar forcërisht. Piktori i mësuar me shqiptarët, sa mbërriti në Tiranë, braktisi radhët e nazistëve dhe u bashkua me miqtë e tij duke vazhduar ritualin me pikturat dhe vëzhgimet e peizazheve pafund. Vazhdoi kështu edhe pas tërheqjes së ushtrisë naziste dhe çlirimit të vendit, tanimë i bindur se kishte ardhur një realitet tjetër, pa represion dhe dhunë. Po kjo vetëm pak ditë, pasi fati i rezervoi një tjetër të papritur. Në kohën që mendonte për tu kthyer pranë vajzës së vetme në Berlin, regjimi i Tiranës e arrestoi pabesisht, duke e degdisur në qelitë e errëta. Ajo që përjetoi Troschela gjatë seancave gjyqësore të mesit të vitit 45, ishte një dramë e tmerrshme. E akuzuan si bashkëpunëtor të nazistëve gjermanë, pastaj si vegël që kishte punuar kundër interesave të shqiptarëve. U betua e përbetua me dhjetëra herë njeriu i penelit, se në asnjë rast nuk kishte shërbyer për pushtuesin, por ishte e pamundur tu mbushte mendjen gjykatësve partizanë. As dëshmia e Edith Ndroqit që pohoi miqësinë e Troschelës me të shoqin dhe aktivitetin e tij në fushën e studimeve të shkencave të natyrës, nuk ndryshoi gjë në rrjedhën e procesit. Trupi gjykues i qëndroi besnik deri në fund akuzës se ai kishte qenë vegël e verbër e okupatorit nazist dhe se kishte punuar kundër interesave të shqiptarëve, duke u mbështetur vetëm në thëniet e një dëshmitari të vetëm. Sidoqoftë, vendimi i dhënë partizançe që e dënoi me 30 vite burg pati efekt vetëm pesë vjet, pasi në klimën e krijuar pas vdekjes së Stalinit, piktori i martirizuar u bë ndër përfituesit e parë të marrëveshjes që falte dënimin e të huajve të papërfshirë në krime lufte. Me riatdhesimin në Gjermani, historia e tij me sigurimin shqiptar u mbyll përfundimisht në dosjen e Gjykatës Ushtarake të Tiranës. Qoftë edhe me një shikim të përciptë të faqeve të saj, konstaton lehtësisht arbitraritetin e gjykimit dhe dënimit të Troschilës
Pretenca e prokurorit
Hans Troschel ka ardhur në Shqipëri në vitin 1938, gjoja si turist për të bërë piktura dhe ka qëndruar këtu deri në vitin 1941. Pastaj është larguar në Gjermani, ku mbas qëndrimit atje, pikërisht me ardhjen e okupatorit gjerman në Shqipëri, vjen dhe i pandehuri gjoja si ushtar dhe më vonë bëhet civil. Dëshmitari Piri Floqi na tha se Troschela kishte dashur ta bënte spiun, duke i kërkuar të shkonte si partizan në mal e të mblidhte informata. Këtë bindje e kemi edhe ne, sepse i pandehuri është arrestuar mbasi është çliruar e gjithë Shqipëria në shtëpinë e të pandehurit Mehmet Ndroqi, ku qëndronte si ilegal, sigurisht sepse e dinte frikën e përgjegjësisë. Veprimtaria e tij si Vegël e ndërgjegjshme e okupatorit nazist dhe në dëm të interesave shqiptare provohet me pohimet e tij dhe të dëshmitarit Piro Floqi. Prandaj kërkojmë të cilësohet kriminel lufte dhe të ndëshkohet me 30 vite burg…
Rrëfimi i Troschelit para hetuesit
Kam ardhur për herë të parë në Shqipëri në pranverën e vitit 1938 si turist, për të bërë piktura dhe kam punuar deri në vitin 1941 në Tiranë, Shkodër e Mirditë. Gjatë kësaj kohe kam bërë punime edhe për Ministrinë e Arsimit, me porosinë e Hasan Cekës. Gjatë qëndrimit në Shqipëri, kam bashkëpunuar me inxhinier Ahmet Ndroqin, Profesor Ndue Palucën, me Eqerem Çabejin, Ethem Carën, Ymer Nishanin dhe Vehip Hoxhën. Italianët më shtrënguan të largohem në Gjermani, jashtë dëshirës sime. Aty kundërshtova të regjistrohesha në Partinë Naziste dhe u detyrova të rikthehem në Shqipëri, për tu marrë me studimin e zogjve. Desha të theksoj se në vitin 1940 jam arrestuar nga italianët, pasi deklaroja se ata donin të shfrytëzonin popullin shqiptar. Po kështu, gjatë kohës që më kthyen në Gjermani, jam burgosur 18 muaj dhe prej aty si të gjithë të burgosurit e tjerë jam mobilizuar forcërisht, pastaj si ushtar të thjeshtë më sollën në Shqipëri, duke shfrytëzuar gjuhën shqipe aq sa e zotëroja dhe faktin se kisha qenë këtu disa kohë më parë. Në Shqipëri kam ardhur i mobilizuar në shtator të vitit 1943 dhe bëja pjesë në kompaninë ajrore, e cila varej prej komandës së aviacionit. Unë këtu dëshiroja të vija, sepse kisha dëshirë të vazhdoja studimet që kisha nisur më parë dhe bashkëpunimin me miqtë shqiptarë. Më datën 8 shtator 1944 u largova nga ushtria gjermane dhe shkova në katundin Gjopalaj të Shijakut. Më vonë jam sistemuar në Teqenë e Ndroqit, në Ndroq. Prej aty erdha në Tiranë, ku më 29 nëntor 1944 jam arrestuar. Unë e theksoj se popullit shqiptar nuk i kam bërë asnjë të keqe, përkundrazi i kam bërë veç të mira. Ndërkaq, ushtria gjermane është sjellë shumë keq në Shqipëri…
Dënimi nga Gjykata Ushtarake
Gjykata Ushtarake e krahinës ushtarake të Tiranës u mblodh sot më datën 19.6.1945 në sallën e Kinema Tomori dhe gjykoi të pandehurin Hans Troschila, i biri i Ernestit dhe i Elisës, lindur në Berlin në 1899, i martuar me një vajzë, me arsim të lartë, profesor gjimnazi për vizatim e gjeografi, i arrestuar më 29 nëntor 1944. I pandehuri u suall nga burgu tu pas pranë avokatin A.Totozani dhe përkthyesin nga gjermanishtja Mentor Sojli, vjeç 28. Me anën e përkthyesit, i pandehuri Hans Troschel dëgjoi aktin e akuzës prej të cilit rezulton Vegël e ndërgjegjshme e okupatorit nazist, që ka punuar në dëm të interesave shqiptare. Pretenca si më sipër iu shpjegua gjermanisht të pandehurit nga përkthyesi i parab