E Diel, 1 Nëntor 2026

Bizhdili: Besa, si Real Madridi në Kavajë

Presidenti Nexhat Bizhdili thotë se Dinamos i ka hyrë frika në palcë, pa arritur akoma tek "Ura e Beshirit"
Më mirë se kushdo, e di presidenti Bizhdili rëndësinë e takimit që ekipi i tij do të luajë këtë javë ndaj kryesuesve të Dinamos. I njohur për optimzmin dhe batutat e tij drejtuar homologëve të vet, as këtë radhë presidenti Bizhdili nuk rri rehat. Dihen tashmë batutat e tij me mikun e tij Albert Xhanin, por me të "Xhati" do të ketë punë jo shumë larg, por fill pas takimit me Dinamon, ku Besa do të udhëtojë në Tiranë. Duke ditur se vetëm fitorja i bën punë, ai është rreshtuar në krah të segmentëve që kërkojnë të "nxejnë" futbollistët e tij dhe t'i motivojë më shumë për një fitore të pritur. Krahas zgjidhjes së "thesit të parave", Bizhdili gjatë gjithë kësaj jave i ka qëndruar shumë pranë ekipit. Madje i pyetur mbi parashikimin e tij, lidhur me rezultatin e takimit Besa Dinamo, ai shprehet me një batutë nga të tijat: "Pse nuk e dini që Dinamo është mundur akoma pa kaluar urën e Beshirit? Asnjë ekip, me përjashtim të Teutës nuk ka dalë pa u "lagur" nga stadiumi ynë. Duket se miku im Mon Hasanbelliu na gjeti në gjumë. Tani jemi zgjuar dhe Dinamo do të ketë fatin që pati në Kavajë, Tirana, Partizani, Elbasani dhe të tjerët. Po jua përsëris, ata janë zverdhur ende pa ardhur në Kavajë. U ka hyrë frika në palcë. Besa në stadiumin e saj është si Reali i Madridit, që nuk njeh as barazimet, jo humbjet." Nuk është risi ky qëndrim i presidentit Bizhdili, pasi ai njihet si optimist i shfrenuar. Po duket se do të ketë një arsye më shumë që Bizhdili mburret, duke ditur se nuk luan as me Besëlidhjen, as me Kastriotin, Flamurtarin, apo Skënderbeun. Atëherë? Duke e ngacmuar Bizhdilin, ai nuk reziston dhe zbulon "Pse"-në e këtij entuziazmi. "Ekipi im deri tani ka zhvilluar disa miqësore dhe i ka fituar të gjitha, me përjashtim të "faljes" së Partizanit. Nga ana tjetër, futbollistët e mi kanë dy muaj që kanë "harruar" se çfarë janë premiot. Dinamo është shansi më i mirë që t'i mbushin xhepat. Kjo do të thoshte, parapërgatitje për një tjetër sfidë javën e dytë në Tiranë ndaj Partizanit. E kur shkon në Tiranë me xhepat plot, nuk të trembet syri," thekson Bizhdili. Me këto batuta, presidenti kavajas ngre edhe më shumë adrenalinën në kampin kavajas. Futbollistë të tillë, si Progri, Leci, apo edhe Mancaku, Xhihani, Nuhiji, Lila, Veliaj, Belisha e Ramadani mezi presin të dëshmojnë "besnikërinë" e tyre ndaj presidentit Bizhdili. Në deklaratën e tij, Bizhdili duket se ka "harruar" se Dinamo mundet të mos i bjerë nga ura e Beshirit për të ardhur në Kavajë, kështu që duhen bërë mirë llogaritë.
 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›