Hap dyert “City Park”, qendra tregtare më e madhe në rajon
Qendra më e madhe tregtare në Shqipëri “City Park” hapi dyert ditën e djeshme në praninë e shumë të ftuarve dhe një atmosfere unike festive. Shiritin e inaugurimit e ka prerë Kryeministri, Sali Berisha dhe Arian Mene. Në fjalën e tij kreu i qeverisë përshëndeti investitorët, duke theksuar se këta të fundit, me guximin, kurajën, mendjen dhe investimin bënë të mundur ndërtimin e një qendre të tillë tregtare dhe argëtuese, një nga investimet më të mëdha në Shqipëri dhe ndër më të mëdhatë të rajon. Duke e lidhur inaugurimin me atmosferën e fundvitit, Berisha theksoi se kjo qendër hap dyert në prag të festave të mëdha dhe kjo është kartolina më e bukur që AM Group iu dërgon shqiptarëve. “Kjo qendër e mrekullueshme, shpreh dinamizmin e ekonomisë shqiptare, mençurinë dhe vendosmërinë, guximin e AM Group, Tirana Bank dhe të gjithë aksionarëve të tjerë” u shpreh Kryeministri lidhur me iniciatorët e projektit. City Park është një investim i realizuar me nismën e AM Group dhe të disa investitorëve vendas, me mbështetjen e bankave që operojnë në vend : banka lider Tirana Bank, në bashkëpunim edhe me disa partnerë ndërkombëtarë, si GLEEDS. është një projekt i ndërtuar mbi konceptin e një qyteti në një sipërfaqe totale prej 237.600 metra katrorë, ku vetëm qendra zë një sipërfaqe rreth 80.000 metra katrorë, me një investim total prej 80 milion euro. Unik në llojin e tij në Shqipëri, më i madhi projekt në rajonin e Ballkanit në këtë kategori, City Park, ofron atraksion për të gjitha segmentet nëpërmjet kombinimit të argëtimit dhe blerjeve. I kuruar në të gjitha detajet, të arkitekturës dhe seleksionimit të markave, në fazën e parë të hapjes, City Park do të ofrojë modën e fundit për të gjitha segmentet dhe argëtim në pistën e patinazhit në akull me përmasa 550 m2. Tirana Bank: Do të mbështesim investimetHapjen e City Park e ka përshëndetur edhe drejtori i Tirana Bank Dimitris Santixis. Sipas tij inaugurimi i kësaj qendre tregtare ishte një ngjarje madhore shumë e rëndësishme për zotëruesit e saj por sidomos për Shqipërinë dhe Tiranën. “Jemi këtu sot falë vizionit të zotit Arian Mene dhe punës së tij të madhe dhe falë besimit që shumë njerëz të tjerë treguan. Ne si Tirana Bank e kemi dashur këtë projekt që nga fillim. Banka jonë ka dhënë për këtë projekt 17 milion euro në mënyrë të drejtpërdrejtë kurse duke shtuar mbështetjen për dyqanet e ndryshme shuma shkoi në më shumë se 25 milionë euro” u shpreh Santixis. Kreu i Tirana Bank u shpreh se ka pasur momente të vështira për këtë projekt dhe banka që ai drejton është munduar të bindë edhe banka të tjera në ndihmë të tij por që shumica hezituan edhe si rezultat i krizës. Duke vlerësuar punën që është bërë tek City Park drejtori Santixis u shpreh se Banka e Tiranës do të jetë gjithmonë në mbështetje të investimeve të tilla të vlefshme.