AMC pranë jetimëve dhe të moshuarve
Atmosfera festive dhe e ngrohtë e Krishtlindjeve dhe Vitit të ri, do të jetë e tillë edhe për banorët e Shtëpive të Foshnjës, Fëmijës dhe atyre të Moshuarve në të gjithë Shqipërinë, nga Shkodra deri në Sarandë. AMC përveç dhuratave për fëmijët dhe të moshuarit si dhe organizimin e darkave festive, do të kujdeset edhe për nevojat e veçanta të vetë institucioneve, për krijimin e kushteve sa më të mira të jetesës së banorëve të tyre. Drejtues dhe punonjës të AMC, do të festojnë gjatë këtyre ditëve së bashku me fëmijët jetimë dhe të moshuarit e vetmuar të pesë shtëpive të foshnjës, pesë shtëpive të fëmijës dhe shtatë qendrave për të moshuarit në të gjithë vendin. Kështu, grupi i AMC i krijuar për këtë qëllim ishte sot pranë fëmijëve të Shtëpisë së Foshnjës në Tiranë, për tu kujdesur dhe luajtur me ta. Pjesëtar i këtij grupi ishte edhe vetë drejtori ekzekutiv i AMC, Stefanos Oktapodas. “Ne jemi sot këtu jo vetëm për t’i gëzuar me dhuratat e fundviti por edhe për të qëndruar e luajtur me ta, gjë për të cilën fëmijët e kësaj moshe kanë aq shumë nevojë” u shpreh ai duke premtuar se AMC do të jetë më shpesh në ndihmë të tyre gjatë 2010, për të rritur në këtë mënyrë përgjegjshmërinë qytetare për shërbime në dobi të komunitetit. Drejtuesit e këtij institucioni falënderuan drejtorin Oktapodas dhe AMC për mbështetjen e vazhdueshme që i kanë dhënë Shtëpisë së Foshnjës Tiranë.