E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përmbarimi ekzekuton 300 milionë lekë nga Doganat

 TIRANE – Doganat ekzekutojnë vendimet gjyqësore, të bllokuara prej vitesh. Janë rreth 300 milionë lekë të vjetra, të cilat janë depozituar vetëm dy ditë më parë në arkën e përmbarimit me të cilat do të likuidohen ish-doganierët e shkarkuar padrejtësisht nga puna si dhe qytetarët, të cilët kanë fituar procese gjyqësore ndaj doganave. Me anë të një shkrese kryedoganieri shqiptar Endri Pema ka urdhëruar Drejtorinë e Financës në varësi të tij të ekzekutojë të gjitha vendimet gjyqësore të formës së prerë, të kthyer në tituj ekzekutivë nga Zyra e Përmbarimit. Po kështu ai ka paguar, së bashku me “borxhin” disavjeçar të institucionit të tij edhe tatimin mbi të ardhurat, për këtë shumë, në llogari të Drejtorisë Rajonale të Tatim Taksave Tiranë. Nga kjo pagesë kanë mundur të përfitojnë 32 persona shuma që nisin nga 36 mijë dhe përfundojnë në 2.1 milionë lekë të reja, ndërsa koha kur Doganat kanë humbur proceset e para ndaj këtyre personave ka filluar rreth 6 vite më parë. Burime nga Përmbarimi i Tiranës pohojnë se Drejtoria e Doganave është institucioni më problematik porsa i përket ekzekutimit të vendimeve gjyqësore të formës së prerë. Prej disa vitesh ky institucion kishte refuzuar të paguante përmbarimin, çka është bërë shkak që ish-kryedoganieri Përparim Dervishi të gjobitej disa herë nga Përmbarimi. Për Përmbarimin e Tiranës, mosekzekutimi i çështjeve nga Doganat është neglizhencë dhe mungesë vullneti, pasi disa herë, për këto shkaqe kryedoganierët janë bërë shkak që të digjen fondet e akorduara për këtë qëllim. fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›