E Diel, 1 Nëntor 2026

Kriza, ndërtuesit kërcënojnë: “Nuk do derdhim detyrimet”

 Shoqata e Ndërtuesve të Shqipërisë ju ka bërë thirrje instancave shtetërore për një zgjidhje të situatës kritike ku ndodhet ky sektor në të kundërt do të merren masa. Kreu i kësaj shoqate Makism Muçi ka bërë  të ditur dje se sektori i ndërtimit është prekur thellë nga kriza dhe shumë prej firmave po shkojë drejt falimentimit. Nga ana tjetër ai ka kritikuar qëndrimin indiferent të politikës e cila në vend që të japë zgjidhje “po konsumon veten duke lënë mënjanë problemet e biznesit”. Duke parashtruar një sërë kërkesash Muçi ka theksuar se kriza financiare dhe etiketimet që i bëhen kohëve të fundit këtij biznesi kanë krijuar një situatë të pasigurt për investime.  “Ka biznese që duket se po plotësojnë më në fund ciklin e padëshirueshëm, nga fitimi në falimentim. Këtu politika ka përgjegjësinë e plotë” tha drejtuesi i Shoqatës së Ndërtuesve. Sipas tij është krijuar një klimë e përgjithshme pasigurie për investim nga qytetari i thjeshtë, deri tek shoqëritë ekonomike.Mosmiratimet e Planeve Rregulluese të qyteteve dhe të Tiranës, mosfunksionimi i KRRT-ve si dhe etiketimet e fundit që ju vishen bizneseve në vend që të gjenden zgjidhje janë disa nga arsyet që shoqëritë ndërtuese sot janë në vështirësi. Në këto kushte Shoqata e Ndërtuesve ka bërë me dije se është “pro” dialogut dhe ka parashtruar një sërë kërkesash. “Përsërisim me ngulm kërkesën tonë për bisedime me përfaqësuesit e Ministrisë së Punëve Publike, Ministrisë së Financave, Ministrisë së Drejtësisë për të filluar diskutimin për marrjen në konsideratë të vërejtjeve të vazhdueshme tona lidhur me rregulloren e licencimit, manualin e çmimeve në ndërtim, pagat e referencës, tatimin e kalimit të së drejtës së pronësisë, vendimin për pjesëmarrjen në tenderët e infrastrukturës mbas kryerjes se 70% të punimeve, ligjin e prokurimeve” tha Muçi. Sipas tij në rast të mos përmbushjes së këtyre kërkesave atëherë i propozohet Aktivit që Shoqata e Ndërtuesve shqiptarë të marrë masa për ndërprerjen e punës për një muaj në kantieret e anëtareve të saj dhe si rrjedhojë mos derdhjen e asnjë detyrimi për këtë periudhë. Në total pranë  shoqatës janë anëtare rreth 400 firma. Sipas drejtuesit të kësaj shoqate vetëm për 10 mujorin e këtij viti për 175 firma të shoqatës rezulton se kanë kryer një xhiro prej 40 miliardë lekë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›