Hap dyert shkolla “Avni Rustemi” në Kukës me kushte moderne për 840 nxënës dhe mësues

TIRANË, 15 shtator /ATSH/ Shkolla 9-vjeçare “Avni Rustemi” në Kukës ka hapur dyert në këtë fillim viti të ri shkollor, ku nxënësit dhe stafet pedagogjike do të zhvillojnë mësimin në kushte bashkëkohore dhe hapësira më moderne.
Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro u shpreh se kjo shkollë ka hapur dyert, që për më të vegjlit që ulen për herë të parë në bankat e shkollës e deri tek më të rriturit, me ambiente të reja dhe dinjitoze për zhvillimin e mësimit.
Sipas Kumbaros, investimet e Ministrisë së Arsimit vijojnë në shkolla nga veriu në jug për kushte bashkëkohore për çdo fëmijë.
Shkolla e re ofron kushte moderne dhe dinjitoze për 840 nxënës dhe mësues, ndërsa u rikonstruktuan klasa të reja, laboratorë bashkëkohorë, bibliotekë si dhe terrene sportive.
Viti i ri shkollor nisi me 42 shkolla dhe terrene sportive të reja në të gjithë vendin, ndërsa vetëm në Tiranë hapën dyert 8 shkolla të reja.
Investimet në arsim mbeten një nga prioritetet e qeverisë, ndërsa projekti për rilindjen e shkollave synon transformimin e infrastrukturës arsimore në mbarë vendin.
/e.i/j.p/r.e/