E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndahet nga jeta ish-presidenti i Urdhrit të Mjekëve të Shqipërisë, Dine Abazi

TIRANË, 15 shtator /ATSH/ Profesori dhe ish-presidenti i Urdhrit të Mjekëve të Shqipërisë, Dine Abazi u nda nga jeta sot, në moshën 88-vjeçare.

Abazi ishte pjesë e sistemit shëndetësor për disa dekada, ku krahas veprimtarisë profesionale mbajti edhe role drejtuese dhe përfaqësuese në institucionet e mjekësisë shqiptare.

Ai shërbeu për dy mandate në krye të Urdhrit të Mjekëve të Shqipërisë, detyrë të cilën e përfundoi në vitin 2015. Gjatë drejtimit të Urdhrit, Abazi u angazhua në diskutimet publike mbi profesionin e mjekut, funksionimin e sistemit shëndetësor, si dhe proceset e testimit dhe vlerësimit të bluzave të bardha.

Gjatë viteve 1970 dhe 1980, Abazi ishte pjesë e stafit mjekësor që shërbente për udhëheqjen e atëhershme komuniste shqiptare.

Përveç angazhimit në sistemin shëndetësor, Abazi pati edhe një rol në përfaqësimin ndërkombëtar të Shqipërisë.

Ndarja e tij nga jeta shënon humbjen e një prej profesionistëve që kontribuuan për dekada në mjekësinë shqiptare.

/e.i/j.p/r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›