E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hapen HEC-et, përmbytet prapë Nënshkodra

Ardi Hoti

Banorët shprehen të revoltuar se askush nuk i vuri në dijeni për përmbytjen e radhës

Jo vetëm se nuk u lajmëruam, por askush nuk vjen këtu për të na pyetur sesi e keni hallin

Ardi Hoti

nenshkodraHapja e portave të hidrocentraleve ka rikthyer përmbytjet masive në zonën veriperëndimore të vendit për të disatën herë brenda pak kohëve. Të dhënat e fundit tregojnë se në Rrethin e Shkodrës, uji ka përmbytur mbi 4500 hektarë tokë, ndërsa qindra banesa janë të rrethuara ose kanë prani uji brenda tyre.

Sipas informacioneve nga zona e Nënshkodrës, fshati Darragjat në Komunën Dajç, ka qenë zona e radhës që nuk u ka shpëtuar përmbytjeve. Tokat, që një ditë më parë po punoheshin nga banorët, tashmë janë mbuluar me ujë dhe shumë banesa ngjajnë si të ndërtuara në ndonjë ishull. Banorët e zonës shprehen të revoltuar se askush nuk i kishte lajmëruar për hapjen e Fierzës dhe shtimin e ujit. Ata deklarojnë se askush nuk po jep asnjë ndihmë, fëmijët janë pa shkollë dhe të mbjellat me bazën ushqimore janë shkatërruar. Duke folur për gazetën, një nga banorët e Darragjatit, Ndoc Pashuku, shprehet se ata janë lënë në harresë nga të gjitha autoritetet shtetërore. Jemi tepër të revoltuar, jo vetëm se nuk u lajmëruam, por askush nuk vjen këtu për të na pyetur sesi e keni hallin. Ne jemi këtu të rrethuar nga uji, i cili edhe pak po hyn brenda në shtëpi. Të mbjellat janë shkatërruar, ushqimi i bagëtive po mbulohet me ujë. Në këto kushte, kur askush nuk vjen për të parë apo për të sjellë ndonjë ndihmë, ne kemi mbetur në mëshirë të natyrës, pasi shteti nuk kujtohet për ne, shprehet Pashuku. Gjithashtu banorët shprehen se në një kohë kur pritej të merrej dëmshpërblimi për përmbytjet e mëparshme, ata vazhdojnë të shpërblehen me përmbytje të tjera. Ndërkohë, shtimi i shkarkimeve nga hidrocentralet mbi Drin kanë rritur nivelin në zonat e përmbytura, si në Obot, Goricë dhe Shirgj. Gjithashtu, uji ka dalë në rrugën nacionale të komunave Dajç e Velipojë dhe aktualisht janë të pakalueshme.

Gjithashtu, në rrugën pedonale të qytetit dhe në rrugën e Shirokës, ka një dalje të lehtë të liqenit të Shkodrës. Kjo për shkak se rrjedha e fortë e Drinit, nga hapja e portave pengon shkarkimin e liqenit në lumenj. Në të gjithë Nënshkodrën janë rreth 4500 ha tokë të përmbytura, 400 banesa të rrethuara nga uji dhe dhjetëra shtëpi raportojnë për prani uji brenda ndërtesave. Shkarkimet që po bëhen nga hidrocentralet e Fierzës, Komanit dhe Vaut të Dejës kanë rikthyer kështu frikën e një përmbytjeje masive në Nënshkodër dhe lagjet periferike të qytetit, ndërkohë që harta e përmbytjes sa vjen dhe zgjerohet.

Hapen HEC-et, përmbytet prapë Nënshkodra burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›