E Diel, 1 Nëntor 2026

Hapen ofertat për autostradën Prishtinë-Vërmicë

Ministri Limaj ka deklaruar se ky është vendimi i Komitetit ndërministror dhe atyre 7 kompanive të cilat janë parakualifikuar, e të cilave do t’iu dërgohet ftesa që brenda 30 ditëve, t’i prezantojnë ofertat e tyre, dhe nga ai prezantim do të nxirret fituesi i cili do të fillojë, ekzekutimin e punimeve. 

Ministri i Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit, Fatmir Limaj tha se dosja e ofertës për autostradën Prishtinë- Vërmicë është e përgatitur me standarde evropiane dhe të Bankës Botërore. “Dosja e ofertës është e përgatitur me standardet më të larta evropiane të Unionit Evropian dhe të Bankës Botërore.

Në këtë dosje, që e kemi përgatitur, kemi kërkuar nga kompanitë përmbushjen e kritereve më të larta të mundshme, teknike por edhe financiare”, ka theksuar ministri Limaj. Në mbledhjen e Komitetit ndërministror, ku të pranishëm ishin edhe përfaqësuesit e Bankës Botërore, është vendosur që brenda 30 ditëve të dihet se cila do te jete kompania e cila do te fitojë këtë tender qindra milionësh.

Ministri Limaj ka këmbëngulur që kompania e cila fiton këtë tender të ketë si kusht që 30 % të punëve ti kryeje me kompani nënkontraktuese vendore dhe ka premtuar se brenda dy muajve do të fillojnë punimet në Autostradën Merdare Morinë. Sipas ministrit Limaj, kohëzgjatja dhe përfundimi i punimeve do të jetë në periudhën kohore prej 36 muaj.

Ndryshe, ndërtimi i autostradës Merdare Morinë vlerësohet se do ta shkurtojë edhe më shume rrugën që lidh Kosovën me Shqipërinë, por ajo do t’i mundësoje Kosovës lidhje me të mira me të gjitha vendet e botës. (rtk/start)

                                                                                             

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›