E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hapësira e Pacollit

Zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli ka zyrtarizuar në Tiranë krijimin e hapësirës së përbashkët ekonomike shqiptare. Ai ka thënë se qëllimi i kësaj nisme është heqja e barrierave kufitare, administrative dhe shfrytëzimi më i mirë i kapaciteteve njerëzore në të dy anët e kufirit. Nga Express më 10 korrik 2011 në ora 09:51

Zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli është rikthyer brenda pak muajsh në Tiranë për të ridiskutuar me politikanë dhe akademikë shqiptarë nismën e tij për krijimin e një hapësire të përbashkët ekonomike Shqipëri-Kosovë.

Sipas Pacollit, një nismë e tillë mbështetet edhe nga organizmat europianë, duke pasur për qëllim heqjen e barrierave kufitare, administrative, për një shfrytëzim më të mirë të kapaciteteve njerëzore në të dy anët e kufirit.

“Ne na nevojiten dy kryeqytete, ne na nevojiten 2 administrata të forta përballë konkurrencës së madhe të shteteve të rajonit pjesë në BE. Dikush mund të mendojë se ne jemi duke krijuar një Shqipëri të Madhe, por ajo krijohet jo duke bashkuar administratat, por duke bashkëpunuar, duke pasur ide të njëjta si në ekonomi, e fillojmë nga unifikimi i teksteve shkollore etj”, ka thënë Pacolli, tash Zëvendëskryeministër i Parë në Qeverinë e Kosovës.

Deklaratat, Pacolli i bëri gjatë forumit politiko-akademik organizuar në bashkëpunim nga Universiteti Europian i Tiranës dhe Universiteti Fama në Prishtinë, me pjesëmarrjen e figurave të njohura nga politika, bota akademike, biznesmenë nga Shqipëria dhe Kosova.
I pranishëm në këtë takim, ish-Presidenti i Shqipërisë, Rexhep Mejdani ka thënë se unifikimi i shqiptarëve në Ballkan kërkon së pari një shtet kosovar të njohur ndërkombëtarisht.

“Një çështje e parë me peshë themelore në kuadrin e bashkëpunimit, pas çlirimit të Kosovës dhe pavarësimit të saj është njohja e mëtejshme e Kosovës dhe anëtarësimi i saj në të gjitha organizatat e vendeve sovrane, jo vetëm në OKB, NATO, e BE, por edhe në struktura të tjera si OSBE, KiE, etj”, ka thënë Mejdani.
Ndryshe, Pacolli ka thënë se nismat për bashkëpunim ndërmjet shqiptarëve ndikojnë në forcimin e kombit.

“Thellësisht të bindur se vetiniciativa për realizimin e kapaciteteve zhvillimore të kombit nëpërmjet integrimit të këtyre kapaciteteve, në modelet më të mira integruese, të komuniteteve ekonomike europiane, të Komunuelthit, të Frankofonisë, të vendeve nordike, është rruga më e drejtë dhe e sigurt e zhvillimit të kombit”, ka thënë Pacolli.
Ndryshe, Pacolli ka shpjeguar nismën e tij për krijimin e hapësirës së përbashkët ekonomike shqiptare.
“Qëllimet e kësaj lëvizjeje do të jenë: zhvillimi harmonik, kompatibil dhe i qëndrueshëm ekonomik në të gjitha fushat, prej bujqësisë, energjetikës dhe deri te vlerat kulturore;

Zhvillimi i resurseve njerëzore në fushën e arsimit, shëndetësisë, kulturës, sportit, stabilizimit të familjes sidomos garantimi i barazisë së femrës dhe kujdesit të veçantë ndaj fëmijëve;

Ngritja e standardit jetësor; mbrojtja e ambientit; kontrolli i migrimit të popullatës etj.

Kjo lëvizje, e institucionalizuar, e organizuar, do të ofrojë dokumente programatikë, studimorë, qeverive përkatëse për të ecur në këtë rrugë”, ka sqaruar Pacolli.
Pacolli ka shkuar edhe më larg, duke sugjeruar që nëpërmjet lëvizjes të intensifikohet bashkëpunimi i ndërsjellë në fushën e luftës kundër krimit të organizuar, terrorizmit, trafikimit me qenie njerëzore dhe garantimit të të drejtave të minoriteteve.

Në Bordin e nismës së Pacollit janë Alfred Moisiu, ish-President i Shqipërisë;
Rexhep Meidani, ish-President i Shqipërisë, Behgjet Pacolli, ish-President i Kosovës.
Arben Xhaferri, filozof dhe intelektual, Faik Brestovci, profesor, rektor i Universitetit Fama, Prishtinë, Teuta Dobi, Presidente, Universiteti Europian i Tiranës.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›