E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqiptari pështyn policët - 10 muaj burg dhe 5400 franga gjobë

Nga Express më 10 korrik 2011 në ora 12:50

Një shqiptar 25 vjeçar nga Winterthuri i Zvicrës ka paguar shtrenjtë fyerjen që i ka bërë dy policëve. Gjykata e Lartë e Cyrihut i ka shqiptuar një dënim me heqje lirie dhjetë muaj dhe gjobë prej 5400 frangash të riut, i cili në fjalosje e sipër i kishte pështyrë policët zviceranë.

Në janar të vitit 2009 dy policë kishin trokitur në derë të banesës ku ai kishte shkuar mysafir, për t`i thënë që ta hiqte veturën nga rruga, sepse ishte parkuar gabimisht.

Pasi ai ua kthen me sharje e kërcënime dhe situata acarohet, kosovari i pështyn policët, të cilët provojnë ta bllokojnë me “pfefferspray”. Të njëjtën “armë” ua drejton edhe ai policëve, për çka përfundon në burg.

Meqë i riu kosovar kishte edhe një llogari të mëparshme, të hapur me ligjin, gjykata e qarkut në WInterthur, në tetor të vitit të kaluar ia kishte shqiptuar atij një dënim për dhunë dhe kërcënim të ushtruar ndaj policëve me 6 muaj heqje lirie. Gjykata në fjalë me këtë rast i kishte aktivizuar edhe dënimin e mëparshëm me kusht prej 10 muajsh burg.

Pas ankesës së bërë, Gjykata e lartë e Cyrihut tani ia ka shndërruar gjashtë muajt e burgut në gjobë. Kështu, 25 vjeçari duhet të paguajë 180 njësi nga 30 franga, që i bie gjithsej 5400 franga.

Mirëpo, masën ndëshkuese prej dhjetë muajsh me burg që ai e kishte nga dënimi i mëparshëm me kusht, duhet ta mbajë në sistemin e burgut gjysmë të mbyllur (nata kalohet në burg ndërsa dita në aktivitetet normale). /kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›