E Diel, 1 Nëntor 2026

Hapet ambasada e Maqedonisë në Kosovë, zyrtarizohen marrëdhëniet

Republika e Maqedonisë ka hapur sot ambasadën e saj në Prishtinë, duke vendosur kështu edhe zyrtarisht marrëdhëniet diplomatike me Kosovën në nivel ambasadash. Si dy vende fqinje, Kosova dhe Maqedonia kanë dhe do të kenë marrëdhënie dhe bashkëpunim ndërshtetëror, ka thënë me këtë rast, ministri i Jashtëm i Maqedonisë, Antonio Miloshoski, i cili bashkë me udhëheqësit kosovarë ka marrë pjesë në inaugurimin e Ambasadës maqedonase në Prishtinë. Ai ka thënë se Kosova tashmë paraqet një shtet të rëndësishëm të rajonit, duke vazhduar më pas edhe me adresimin e tij në gjuhën shqipe. “Maqedonia dhe Kosova janë të përcaktuara për paqe në rajon, për miqësi dhe për bashkëpunim ekonomik. Hapja e ambasadës për ne është akt solemn dhe një plus i ri në marrëdhëniet tona ndërshtetërore”, është shprehur Miloshoski. Ndërkohë, ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Skënder Hyseni, ka thënë se Kosova tashmë ka emëruar të ngarkuarin me punën e ambasadorit në Shkup, pasi emërimi i ambasadorit kërkon disa procedura më të gjata ligjore. Hyseni ka lavdëruar avancimin e raporteve ndërmjet dy vendeve fqinje, duke konfirmuar edhe njëherë angazhimet e përbashkëta drejt integrimit të rajonit në Bashkimin Evropian.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›