E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Hapet çerdhja e parë në Astir, Veliaj: Zgjidhëm problemin për 170 familje të zonës

Hapet çerdhja e parë në zonën e Astirit, me një kapacitet për 170 fëmijë. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, njëherësh kandidat i PS për të drejtuar Bashkinë e Tiranës për një tjetër mandat u shpreh se çerdhja i jep zgjidhje problematikës së trashëguar në këtë zonë, për shkak të keqmenaxhimit nga ish-drejtuesit e ish komunës Kashar, por edhe atyre që bllokuan për 3 vjet punimet në Astir.

Veliaj tha se mandatin e ardhshëm puna e Bashkisë do të përqendrohet në zona si Astiri, për t’i dhënë fund çdo problematike me kopshtet e çerdhet, ndërsa shtoi se do të ndërtohen 5 shkolla të reja.

“Mandati që vjen do të jetë mandati i zonave si Astiri, ku duam të shkojmë deri në cepin fundor. Do fillojmë me më të vegjlit, nga çerdhja, te kopshti, te shkolla. Kemi 5 terrene për shkolla, ku pritet të nisë puna së shpejti, tani që edhe çmimet janë stabilizuar pas inflacionit të luftës.

Me zgjidhjen që i dhamë zhbllokimit të autostradës me aksin e rrugës “Migjeni”, tani me të gjitha degëzimet e rrugëve, deri sa të shkojmë në cepin më fundor të “Astirit”, për të shkuar te asfalti, kanalizimet dhe urbanizimin, besoj që fillimi i institucioneve arsimore e vulos këtë si një zonë me perspektivë.

Investimi që do të pasojë çerdhet, kopshtet, shkollat dhe pastaj zona e lirë ekonomike, që do t’i shërbejë kryesisht “Astirit”, edhe “Kombinatit”, do të jetë vërtetë një lajm i jashtëzakonshëm për komunitetit,” e mbylli Veliaj fjalën e tij.

/rtsh/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›