E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hapet ekspozita hartografike

Të premten pasdite në Galerinë e arteve në Pejë është hapur ekspozita hartografike e studiuesit dhe publicistit, Faton Mehmetaj. Kjo ekspozitë paraqet trojet shqiptare në harta që nga lashtësia e deri më sot.

Kjo ekspozitë gjithashtu iu dedikua jubileut të shtetit Shqiptar. Të pranishmit në këtë ekspozitë ishin historianë, studiues, përfaqësues komunal si dhe një delegacion nga Shqipëria, të cilët e vlerësuan lartë punën e bërë nga Mehmetaj dhe thanë se kjo punë e palodhshme vë në dukje lashtësinë e popullit shqiptar si dhe trojet e Shqipërisë etnike.

Kreu i komunës së Pejës, Ali Berisha me këtë rast ka thënë se Peja po shënon edhe një aktivitet me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë. "Aktiviteti i sotëm është shumë i veçantë. Kemi një ekspozitë që ekspozohen disa harta ndoshta për të parën herë nga autor shqiptar, autori i cili njëkohësisht është publicist, shkrimtar, bashkëluftëtar i yni, njëri i dëshmuar gjatë luftës dhe pas luftës ka jap një kontribut të madh në fushën e shkencës, madje në ofrimin e shumë fakteve të shtrirjes së gjeografisë në këto troje", ka thënë Berisha. Ai më tutje ka shtuar se këto harta shpjegojnë qartë shtrirjen e popullit tonë në periudha të ndryshme, shpjegojnë periudhat e lavdishme të popullit tonë.

“Kjo ekspozitë do të jetë në shërbim të studiuesve e historianëve për të kaluarën tonë, në mënyrë që historia jonë të zbardhet sa më shumë, të ketë sa më shumë fakte e argumente për historinë tonë", është shprehur ai.

Autori i kësaj ekspozite, Faton Mehmetaj ka thënë se kjo ekspozitë përfshinë trojet shqiptare në harta që nga lashtësia e deri më sot. "Në këtë kremte të madhe që feston mbarë populli ynë secili prej nesh ndihet krenar dhe mundohet të jep nga vetja maksimumin që ka që kjo festë të bëhet sa më dinjitoze. Kjo ekspozitë paraqet rrugëtimin e popullit shqiptar që nga lashtësia e deri sot. Nëse këto harta do të trajtohen bota shkencore duhet të zgjojë ndër dijen e fjetur të botës akademike në Ballkan, Evropë e më gjerë, këtu me një sërë fakte dhe të dhënash shkencore dëshmohet historia jonë nëpër mijëvjeçare bazuar në dokumente autentike të kohës", ka thënë me këtë rast autori i ekspozitës.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më datën 26 nëntor 2012. /kosovapress/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›