E Diel, 1 Nëntor 2026

Trajneri nga "Football Manager"

Shumë të rinj nisin ‘karrierën’ si trajnerë në lojëra elektronike si ‘Football Manager’ ose ‘FIFA Manager’. Por, pak kush do të besonte se përvoja e tillë do t’u mjaftojë për të siguruar një detyrë zyrtare në drejtim të një skuadre. Kjo i ndodhi 21 vjeçarit Vugar Huseynzade, i cili u emërua trajner i skuadrës së rezervave të FC Baku në Azerbajxhan.

Dëshira për t’u bërë trajner i një ekipi te futbollit kalon edhe përmes botës virtuale të lojërave elektronike. Përmes lojërave të tilla si ‘Football Manager’ apo ‘FIFA Manager’ shumë të rinj nisin një “karrierë” si trajnerë në botën virtuale me dëshirën, ambiciet dhe ëndrrën që një ditë të drejtojnë një ekip të vërtetë futbolli.

Dhe rasti i tillë i parë vjen nga Azerbajxhani, ku një student 21-vjeçar, Vugar Huseynzade do të jetë trajneri i rezervave të FC Baku, një ekip elitar i këtij vendi. Lajmi raportohet nga gazeta suedeze "Aftonbladet", ku Huseynzade fillimisht hyri në shoqëri si këshilltar i presidentit të klubit pasi ishte diplomuar në Universitetin e Bostonit për menaxhim të sporteve.

Shtatë muaj pas eksperiencës si këshilltar, studenti suedez kishte bërë karrierë si trajner në lojën virtuale ‘Football Manager’ dhe falë kësaj eksperience, por dhe aftësive të shprehura nga vetë ai, e bindën presidentin e klubit t’i besojë 21 vjeçarit Huseynzade pankinën e ekipit të rezervave.

“Gjithmonë kam dashur të punoj në futboll dhe kam luajtur Football Manager nga viti 2002”, deklaroi Huseynzade për Aftonbladet. Kjo mund të jetë hera e parë që dikush nga video-lojëra kalon në një detyrë zyrtare.

Në të kaluarën ka pasur tentime të njëjta, por që kanë rezultuar të pasuksesshme. Një 25 vjeçar, tifoz i futbollit, kishte aplikuar për postin vakant të menaxherit në Middlesbrough duke u bazuar në fuqinë e përvojës së tij duke luajtur Football Manager në kompjuterin e tij.

Pas publikimit të lajmit edhe shumë të tjerë përcollën shembullin e tij, por pa sukses. ‘Akullin e theu’ Huseynzade, i cili pavarësisht përvojës vetëm nga video-lojëra, iu besua posti i trajnerit te skuadra e dytë e Baku. Vetëm koha do të tregojë se sa do të jetë i suksesshëm transformimi nga ‘Football Manager’ te detyra e vërtetë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›