Hapet festivali i 68-të ndërkombëtar i filmit në Venecia

Në fundin e verës së nxehtë italiane Venecia është veshur si asnjëherë më parë kaq bukur, për paradën e radhës së yjeve të filmave. Kur bëhet fjalë për festivalin e Venecias, nuk ka asnjë personazh të njohur, që ta refuzojë ftesën: Kate Winslet, Madonna, Jodie Foster, Colin Firth, Gwyneth Paltrow, Christoph Waltz, Matt Damon, Jude Law, dhe Al Pacino pritet që të jenë të gjithë të paktën për një shfaqje.
George Clooney është gjithashtu një prej aktorëve më të kërkuar, që pëlqen të shfaqet në Venecia. Ylli hollivudian dhe personazhi i filmit thriller politik, “Idetë e Marsit”, pritet të hapë festivalin në mbrëmjen e së mërkurës. Filmi tregon një konsulent imazhi, që punon për një kandidat presidencial dhe që papritur e gjen veten në mes të një skandali korrupsioni.
Clooney, jo vetëm që ka shkruar skenarin dhe ka drejtuar filmin, por gjithashtu luan edhe rolin e kandidatit presidencial dhe guvernator, Mike Morris.
Evenimenti në Venecia nuk është vetëm festivali më i vjetër i filmit në botë, por thuhet se është dhe shpirti i kinemasë. Ashtu si në Kanë, ky festival prodhon më pak para, por i kushton më shumë rëndësi artit. Emra të tillë si Akira Kurosawa, Ingmar Bergmann, Michelangelo Antonioni, ose Paolo Visconti kanë nisur karrierat e tyre pikërisht në Venecia.
Bashkëprodhimet gjermane
Seksualiteti është burimi i të gjithë lëvizjes së njerëzimit, sipas Sigmund Freud. Edhe psikoanaliza luan një rol të filmin, që do të shfaqet në Venecia, “Një metodë e rrezikshme” nga regjisori kanadez dhe ekspert i horrorit, David Cronenberg. Ky prodhim gjermano-kanadez portretizon mosmarrëveshjet mes Sigmund Freud dhe nxënësit të tij të talentuar Carl Gustav Jung mbi marrëdhënien e Jung me një paciente ruse. Filmi është xhiruar pranë Universitetit të Vjenës, në “Belvedere Palace” dhe në Berggasse, aty ku Freudi jetonte.
"Kasaphana" nga Roman Polanski, një tjetër film në garë, është një prodhim gjermano-francez dhe gjithashtu me bashkëpunim nga Spanja e Polonia. Christoph Waltz, Kate Winslet, Jodie Foster dhe John C. Reilly marrin pjesë në këtë adaptim të filmit të Yasmina Reza, me emrin "E mira e kasaphanës."
Dy familje nga qarqet intelektuale grinden mes tyre, pasi më parë ishin rrahur djemtë e dy familjeve në shkollë. Kur ata takohen për të folur mbi incidentin, prindërit e humbasn kontrollin.
Darren Aronofsky është sivjet presidenti i Jurisë në festivalin e Venecias.