Hapet llotaria Dritan Dajti, short publik për 90 avokatë që të bëhet gjyqi
Tiranë- Sido që të jetë fundi, drejtësia shqiptare e ka siguruar një vend në histori. Ose nuk do t’i bëjë dot gjyqin një njeriu që ka vrarë në mes të rrugës katër oficerë policie, ose do të shënojë rastin e parë të një përpjekjeje të tillë për të zhbllokuar gjyqin.
Në kushtet kur procesi ndaj të pandehurit Dritan Dajti vazhdon të mbetet i bllokuar për shkak se asnjë avokat nuk merr përsipër mbrojtjen dhe kur kanë dështuar përpjekjet për ta zhvilluar gjyqin pa avokat, Gjykata e Krimeve të Rënda ka njoftuar publikisht gjetjen e një tjetër zgjidhjeje.
Sipas një njoftimi për mediat, Gjykata e Krimeve të Rënda sugjeron hedhjen e nje shorti publik, ku në listën me gati 90 avokatë që ndodhen si avokate kryesisht, të hidhet shorti se kujt do t’i bjerë në mënyrë rastësore dosja Dajti”. Gjykata e Krimëve të Rënda shprehen se në kushtet e pamundësisë për të bërë të mundur prezencën e një mbrojtësi në seancë dhe për të zhbllokuar këtë situatë gjykata propozon organizimin e një shorti publik nga Dhoma e Avokatisë së Tiranës nën drejtimin e Dhomës Kombëtare të Avokatisë, në bashkëpunim me këtë gjykatë. Ky propozim i është dërguar për dijeni edhe Ministrisë së Drejtësisë dhe KLD-së.
Nuk dihet se cili do të jetë reagimi i Dhomës së Avokatisë pasi ajo ka hedhur poshtë në mënyrë të vazhdueshme çdo propozim që ka ardhur nga kjo gjykatë.