Hakmerret PS-LSI, pakt edhe në Këshillat Bashkiak: Të ikë Kosovrasti
Tiranë- Pas shkarkimit të anëtarit të LSI-së në KQZ, ka reaguar sot opozita e bashkuar duke thënë se do të bëhet bashkimi i këshilltarëve të LSI-së dhe atyre të PS-së në komunat dhe bashkitë e vendit.
Ky vendim erdhi pas një takimi të zhvilluar sot nga këshilltarët e të dyja kampeve të Bashkisë së Tiranës, të cilët kanë vendosur po sot që të kërkojnë shkarkimin e kreut të Këshillit Bashkiak Tiranë, Njazi Kozovrastit.
Në një deklaratë për mediat kreu i këshilltarëve socialistë në Bashkinë e Tiranës, Aldrin Dalipi, u shpreh se pas këtij bashkimi shumicën e anëtarëve në Këshill e ka opozita dhe sipas tij i takon asaj të zgjedhë drejtuesin.
Marrëveshja dhe koalicioni i ri nga sot rrjedhimisht kalon në bashkëpunimin bashkiak. E majta do të jetë forcë dominuese për të garantuar qytetarët se vota e tyre edhe në këtë Këshill do të jetë e garantauar për shkak të një shumice që do të vendosë në radhë të parë votën të dominuar nga interesi demokratik. Pra Këshilli Bashkiak me këtë bashkëpunim do i japë rrugë shtrirjes në të gjitha bashkitë dhe komunat e vendit. Grupet e këshilltarëve sapo firmosëm kërkesën për shkarkimin e kryetarit të Këshillit Bashkiak, Njazi Kosovrasti dhe për të marrë drejtimin e Këshillit Bashkiak,- tha Dalipi.
Ndërkohë pas tij reagoi edhe kreu i këshilltarëve të LSI-së, Shezai Rrokaj, i cili u shpreh se kjo nismë erdhi për të mbrojtur votën e qytetarëve.
Erdhi mbas seancës maratonë ku u cënua një institucion që është i shenjtë sepse mbi bazën e tij verifikiohet vota e lirë dhe mbi bazën e saj ngrihen të gjithë dekmokracitë. Pushteti ka prioritët mbrojtjen e votës së lirë, d.m.th bashkimin e grupit të majtë në mbrojtje të votës së lirë. Do të japim shembullin se jemi në respektim të ligjit, nuk jemi opozitë kokëfortë që reagon ndaj Bashkisë sepse jemi në opozitë. Do mbajmë qëndrime të drejta,- tha Rrokaj.
Lidhur me bashkimin e anëtarëve të këshillave foli edhe deputeti Saimir Tahiri, i cili u shpreh se opozita ka për detyrë të kthejë legjitimitetin e demokracisë, duke kundërshtuar shkarkimin e anëtarit të LSI-së në KQZ.
Kliti Topalli/IDEA/