E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hapet me duodramë

Festivali Ndërkombëtar i Monodramës në Kosovë ‘MonoAKT’ 2012 sivjet do të hapet me duodramë. Është shfaqja nga Lituania ‘Mëndafsh’ e cila do ta hapë festivalin, që do të mbahet gjatë kësaj jave. I pranishëm në këtë festival do të jetë edhe një aktor nga Dagestani me emrin Skenderbeg.

“Një aktor, një dërrasë, një fjalë, një porosi, për aktorë apo spektatorë nuk e di”. Kjo është një poezi e shkurtër, sinonim i monodramës, e aktorit Xhevat Qorraj, që është emblemë e Festivalit Ndërkombëtar të Monodramës në Kosovë “MonoAKT”.

Edhe pse aktori Qorraj nuk qe i pranishëm në konferencën për media, drejtori i festivalit, Mentor Zymberaj, tregoi se e kanë siguruar autorësinë nga ai dhe mund ta përdorin pa problem.

Ky festival, i cili do të mbahet prej datës 17 deri më 22 prill, do t’i mbledhë në Pejë, por edhe në Prishtinë, disa prej trupave më të mira të monodramës në Europë. Në fakt, shfaqja që do ta hapë festivalin nuk është monodramë por duodramë.

“Sivjet ky festival fillon me duodramë. Shfaqja e cila do ta hapë festivalin është duodrama nga Lituania ‘Mëndafshi’ (Silk)”, tregoi Zymberaj.

Në fakt janë dy duodrama që do të shfaqen në kuadër të festivalit, hapjen solemne e të cilit do të bëhet në teatrin ‘Istref Begolli’ në Pejë, duke filluar nga ora 19:30.

“E kemi shtuar një segment të artit skenik, duodramën, që do të jetë i vazhdueshëm edhe në të ardhmen, të cilën e quajmë Monoakt plus”, shtoi Zymberaj. Ai theksoi se ky edicion, që është i katërti, përbehet nga tri segmente.

“E kemi Monoaktin, ku i kemi në konkurrim tetë monodrama dhe monoperformansa, kemi dhjetë monostripa, ku janë dhjetë minishfaqje pa tekst të studentëve në kohëzgjatje rreth shtatë minuta, të cilat konkurrojnë për çmimin e Monostripit dhe kemi dy duodrama, të cilat e fillojnë këtë segment të festivalit”, tha Zymberaj, duke shtuar se Monostripi është ideja më e veçantë dhe më unike e festivalit. Ndërsa për monodramën tha se është gjinia më e vështirë e artit skenik.

“Si në autorësi, si në regji, si në aktrim monodrama i ka vështirësitë maksimale për t’u realizuar. Kështu që, pikërisht pse është e tillë, nuk iu kam larguar monodramës dhe kam dashur që të zhvillohet edhe te studentët. Arsyeja tjetër pse monodrama është e rëndësishme është se atë si gjini pos që po e zhvillojmë, ne po i promovojnë edhe monodramat tona para anëtarëve të jurisë ndërkombëtare dhe artistëve tjerë të botës, në të njëjtën kohë po iu jepet mundësi që këto monodrama të ftohen në festivale të ndryshme në botë”, tha Zymberaj, duke shtuar se në Kosovë po sjellin monodrama shumë të rëndësishme.

Përzgjedhjen e shfaqjeve e ka bërë Nina Mazur, kritike teatri, ish-shefe e Departamentit të Teatrit në Ukrainë, drejtoreshë dhe organizatore e dy festivaleve në Ukrainë dhe dy festivaleve në Gjermani si dhe zëvendëspresidente e rrjetit botëror të festivaleve të monodramës. Zymberaj tha se ajo ka ndikuar jashtëzakonisht në themelimin e festivalit para katër vitesh si dhe në selektimin e shumë shfaqjeve që vinë nga jashtë.

“Ndihma e saj është maksimale, pasi që e kemi edhe kryetare të jurisë”, tha Zymberaj.

Pos saj, anëtarë tjerë të jurisë janë Blagoje Stefanovski, regjisor nga Maqedonia si dhe dramaturgu dhe skenaristi nga Kosova Zymer Kelmendi.

Mysafir i festivalit është Steve Carrier, i cili është aktor i njohur nga Luksemburgu, që po ashtu e drejton festivalin Fundamental. Ai merr pjesë me shfaqjen ‘Swimming to Iraq’ (Me not deri në Irak). Zymberaj tha se pos që merr pjesë në konkurrencë, ai është edhe mysafir sepse është drejtor i një festivali. Mysafir tjetër është Blagoje Stefanovski, i cili është themelues dhe drejtues i rrjetit Neta, i cili faktikisht është edhe anëtar i jurisë.

Në këtë festival i pranishëm do të jetë edhe Skënderbeu, por jo heroi ynë kombëtar por një Skënderbe tjetër, i cili vjen nga Dagestani.

“Një mysafir shumë të veçantë e kemi sivjet. Ai është Skenderbeg Tulparov, drejtor i Festivalit të Monodramës në Dagestan. Emrin Skenderbeg e ka nga babai i tij, i cili ka qenë gjeneral. Këtë informatë ai e ka dhënë në Manastir, ku e ka treguar një histori shumë të veçantë dhe shumë interesante të shqiptarëve në Kaukaz”, tha Zymberaj.

E kur fjalë për çmime ato do të jenë me bollëk.

Çmimet që do të jepen në këtë edicion janë: ‘Monodrama më e mirë’, ‘Aktori dhe Aktorja më e mirë’, ‘Çmimi special’, ‘Nderi i qytetit të Pejës’, ‘Çmimi i mediave’, ‘Çmimi special për duodramë - MonoAKT+’, ‘Anëtari i nderit’, ‘Monostripi më i mirë’ dhe ‘Çmimi për vepër jetësore’.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›