Hapet ne Muzeun Historik Kombetar, ekspozita per viktima e komunizmit
Tiranë, 19 shkurt 16:58 NOA - Çelet nesër në Muzeun Historik Kombëtar një ekspozitë e veçantë në kujtim dhe nderim të viktimave të shkaktuara nga diktatura komuniste në Shqipëri.
Përzgjedhja e datës 20 shkurt për çeljen e kësaj ekspozite nuk është bërë në mënyrë të rastësishme, sepse pikërisht në këtë datë, 18 vjet më parë, qytetarët e Tiranës rrëzuan monumentin e diktatorit Enver Hoxha dhe shënuan një pikë kthese në zhvillimin e proceseve demokratike.
Ka më shumë se një muaj që në MTKRS janë ngritur grupe pune në të cilat marrin pjesë drejtues të ministrisë dhe të institucioneve vartëse si, Muzeut Historik Kombëtar, Galerisë Kombëtare të Arteve, Arkivit Qendror të Filmit, Komitetit të Kulteve, etj.
Këto grupe pune kanë realizuar një bashkëpunim të frytshëm me Institutin e Historisë, Institutin e ish-të Përndjekurve Politik, Arkivin e Shtetit, Agjencinë Telegrafike Shqiptare, Arkivin e Ministrisë së Brendshme, Arkivin e RTSH dhe tashmë gjithçka është gati.
Platforma e hollit të ekspozitës është në ngjyrën e zezë që simbolizon diktaturën komuniste dhe ndriçohet prej dritës së stendave ku janë vendosur foto dhe dokumente që dëshmojnë për përndjekjet e shumta, gjyqet e manipuluara, ekzekutimet barbare dhe vuajtjet e pafundme të ish-të burgosurve dhe të përndjekurve politik. Shumica e materialeve ekspozohen për herë të parë.
Gjithashtu, po për herë të parë, afishohen foto të vrasjeve që organet e diktaturës kryen ndaj shtetasve shqiptarë në kufirin e Shqipërisë gjatë viteve 1988-1990 kur edhe kishte ndryshuar kodi penal për kalimin e kufirit.
Në monitorët e vendosur do të shfaqen në mënyrë të vazhdueshme materiale filmike, fotografike, vendime dhe dokumente të ndryshme që dëshmojnë krimet e regjimit komunizmit në Shqipëri.
Ndonëse kjo ekspozitë rikthen në vëmendjen e vizitorëve një pjesë fare të vogël të krimeve që regjimi komunist kreu në Shqipëri, ajo do të sjellë një kontribut të rëndësishëm për rehabilitimin dhe integrimin real të ish-të burgosurve dhe të përndjekurve politik si një nga prioritetet e kësaj maxhorance qeverisëse.
e.l/NOA