E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pango: Ja ç'bëmë për antikomunizmin

Ekspozita "Nderim viktimave të sistemit komunist" sot në Muzeun Historik Kombëtar. Foto, imazhe filmike, objekte, ana më e egër e historinë së regjimit komunist në Shqipëri

Sot në orën 12:00, në Muzeun Historik Kombëtar çelet ekspozita "Nderim viktimave të sistemit komunist". Në hapësirën prej 400 metra katrorë të hollit të muzeut ekspozohen materiale që datojnë që prej përfundimit të Luftës së dytë Botërore e deri në vitin 1991.
Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ylli Pango, gjatë një konferencë për shtyp, prezantoi dje strukturën e ekspozitës.

Për këtë ekspozitë kanë punuar në kohë rekord - që kur kryeministri Berisha shpalli në javën e parë të janarit një tip aksioni politik sipas kërkesave të Këshillit të Evropës për dënimin e krimeve të komunizmit - disa institucione kulturore dhe të kujtesës historike. Megjithatë dje në konferencën për shtyp ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, doli i vetëm para medias për të prezantuar teorikisht ekspozitën, duke marrë kështu rolin e............................... muratorit. Sipas ministrit Ylli Pango ekspozita është ndërtuar mbi bazën e katër elementëve.

I pari që përbën edhe strukturën më të rëndësishme, janë fotografitë. Nuk janë origjinalet por kopje të tyre bardhezi. Elementi i dytë është një instalacion me tela me gjemba, 15 metra i gjatë dhe 3 metra i lartë.

Sipas ministrit, ky gardh është një homazh për ata qindra shqiptarë që u ekzekutuan në përpjekje për t'u arratisur nga Shqipëria.
Elementi i tretë janë projeksionet filmike që sipas ministrit shfaqin momente të dhunës dhe krimeve të kryera gjatë gjithë periudhës së komunizmit. Këto së bashku me fotot janë materiale pamore origjinale që shfaqen për herë të parë.



Ndërsa elementi i katërt i ekspozitës janë objekte personale të jetës së përditshme të të burgosurve. Një pjesë e tyre janë dhuruar nga vetë ata që i mbijetuan burgjeve të sistemit, pjesa tjetër është dhuruar nga familjarët e atyre që nuk mundën të dilnin dot gjallë prej andej. Objekte këto që dëshmojnë histori tragjike.



Janë të përfshira edhe fotografi që dëshmojnë për përndjekjen, masakrat dhe luftën e hapur që iu bë klerit para se persekutimi i tij të shpallej zyrtarisht më 1967.

Në këtë ekspozitë, sipas ministrit Pango, ndodhen edhe fotografi tronditëse të njerëzve që janë ekzekutuar teksa përpiqeshin të kalonin kufirin, por që i përkasin periudhës së fundit të regjimit, kur mendohej se me vdekjen e Enver Hoxhës (1985) do të merrte fund edhe ky ferr. "Këto foto i përkasin viteve '90, pikërisht atëherë kur Presidenti i Shqipërisë, në atë kohë Ramiz Alia, deklaroi se asnjë njeri që kalonte kufirin nuk do të ekzekutohej". Ai shtoi se disa nga këto foto tregojnë momentet e fundit të jetës së këtyre djemve që tentuan të largohen nga Shqipëria.

Më 20 shkurt 1991 në Sheshin "Skënderbe" qytetarët rrëzuan shtatoren e Enver Hoxhës, simboli demonstrativ i diktaturës.


Më janar 2009, qeveria "Berisha" e shpalli 20 shkurtin "Ditë të Nderimit të Viktimave të Sistemit Komunist" dhe ngarkoi ministrin e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të hapë konkursin ndërkombëtar për ngritjen e obeliskut në nder të viktimave dhe atyre që vuajtën nën peshën e dhunës së 45 vjetëve dhe të ngrejë këtë ekspozitë.

"Në nderim të viktimave të sistemit komunist" u konceptua dhe ndërtua në më pak se një muaj, nën drejtimin e kuratorit Rubens Shima. Kjo ekspozitë mendohet të jetë bërthama e atij që do të jetë pavijoni i "gjenocidit shqiptar" në MHK. Ky projekt i Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve është realizuar në bashkëpunim me Arkivin e Filmit, Qendrën e Studimeve Albanologjike, Arkivi i RTSH-së, arkivat e Ministrisë së Rendit dhe të Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave etj.

Kjo ekspozitë, sipas ministrit, nuk do të jetë vetëm bërthama e një pavioni të përhershëm që do të integrohet në Muzeun Kombëtar, por edhe baza e një muzeu të ardhshëm që do të pasqyrojë vetëm periudhën në fjalë.

Sot premiera e "Filumena Marturanos"


Premiera e parë e Teatrit Kombëtar për sezonin 2009 "Filumena Marturano" e dramaturgut italian, Eduardo de Filippo shfaqet sot në orën 19:00. Ish -prostituta Filumena Marturano (Yllka Mujo), prej 25 vjetësh bën një jetë bashkëshortore me Domeniko Soriano (Bujar Asqeriu), pa qenë e martuar me të.


Ka rritur në fshehtësi tre fëmijë që kanë tre baballarë të ndryshëm. Filumena dëshiron t'iu japë një mbiemër fëmijëve të saj dhe për këtë detyron Domenikon të martohet me të. Ajo i tregon Domenikos se vetëm njëri prej fëmijëve është i tiji, por nuk i tregon se cili.
Regjisori Albert Minga tha dje se në trupën e aktorëve të "Filumena Marturanos" sheh të mishëruar konceptin e tij regjisorial për realizimin e një dramë realiste.

Tre djemtë e Filumenës interpretohen nga Neritan Liçaj, Arben Derhemi dhe Gjergji Mena. Në role të tjera interpretojnë, Tinka Kurti, Vangjel Toçe, Fadil Kujofsa, Nigela Ruka dhe Olta Gixhari. Skenografia dhe kostumografia e vënia në skenë është realizuar nga Agim Zajmi.

Pino Kakoca vlerësohet me Nobelin e Mesdheut


Kantautori arbëresh Pino Kakoca (Pino Cacozza) u vlerësua dje në Napoli me "Çmimin Mesdhetar për Artin dhe Krijimtarinë-2009". Ky çmim konsiderohet si "Nobeli i Mesdheut" dhe u jepet çdo vit personaliteteve të shquara të jetës politike, shkencore dhe kulturore artistike, që me veprimtarinë e tyre kontribuojnë në zbutjet e tensioneve dhe afrimin e kulturave të popujve të ndryshëm. Kakoca është kompozitori i këngëve "Ajri i jetës", "Me një mik afër", "Kjo është festa më e madhe çë ka Arbëria", "E bukura vashës, e bukura gjitoni" "Ishe një herë" etj.


Kristo Frashëri për Pavarësinë dhe qytetërimin shqiptar


Dolën nga shtypi dy libra të rinj të akademikut Kristo Frashëri "Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë (28 Nëntor 1912)" dhe "Historia e qytetërimit shqiptar (nga kohët e lashta deri në fund të Luftës së Dytë Botërore)".


Të dy librat janë botuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë. "Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë (28 Nëntor 1912)" ka 284 faqe dhe është i ndarë në tri pjesë: Vështrim historik; Shtojcë dokumentare; Kujtime nga pjesëmarrësit e Kuvendit Kombëtar të Vlorës. Libri përmban edhe një varg ilustrimesh, nga të cilat disa janë pak të njohura.

Libri tjetër "Historia e qytetërimit shqiptar (nga kohët e lashta deri në fund të Luftës së Dytë Botërore)" ka 363 faqe dhe përmban një vështrim të përgjithshëm mbi historinë e Shqipërisë e të popullit shqiptar me theks të veçantë në ngjarjet dhe institucionet që i takojnë sferës së qytetërimit të vështruar në kuptimin gjerë të fjalës.


Të dy librat përmbajnë nga një tregues të emrave të personave e të vendeve të përmendura, që e lehtësojnë shumë përdorimin e tyre dhe, nga ana tjetër, dëshmojnë për pasurinë e madhe të informacionit që përmbajnë.


Akademiku Kristo Frashëri ka lindur në Stamboll më 1920 në një familje nga Frashëri i Përmetit. Më 1927 u vendos familjarisht në Tiranë.


Më 1940, pasi kreu shkollën e mesme, u regjistrua në Fakultetin e Shkencave Ekonomike në Universitetin e Firences. Si shumë të rinj të tjerë ndërpreu studimet dhe u hodh në Lëvizjen Antifashiste.

Më 1942 u burgos dhe u internua; më 1943 kaloi në rreshtat partizane. Në vitin 1953 filloi punën në Institutin e Shkencave dhe vijoi në institucionet shkencore që u formuan më pas, si Instituti i Historisë e i Gjuhësisë, Fakulteti i Historisë e i Filologjisë, Instituti i Historisë. Ai ka një prodhimtari të pasur shkencore.


Është bashkautor i "Historisë së Shqipërisë" që nga botimi i parë i saj (1959) e deri në botimin më të ri (2002). Vitet e fundit ka botuar një varg veprash, ndër të cilat monografia themelore "Skënderbeu - jeta dhe vepra" (2002), vëllimi dokumentar "Burimet historike shqiptare të shek. XV për Skënderbeun (në origjinal dhe në përkthim shqip)" (2005); si dhe veprat "Historia e Tiranës" (2004); "Himara dhe përkatësia etnike e banorëve të saj" (2005); "Historia e lëvizjes së majtë në Shqipëri dhe e themelimit të PKSH 1878-1941" (2006); "Identiteti kombëtar shqiptar" (2006). Mban dekoratën "Nderi i Kombit".
Re. ku

 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›