E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hapet sot sheshi “Skënderbej”, si do të lëvizin makinat

SHKRUAN: Jonida Tashi 14-11-2011 13:45

Ndryshojnë edhe stacionet e disa linjave urbane. Bashkia e Tiranës përcakton skemën e re të qarkullimit në dhe përreth qendrës.

Qendra e Tiranës, pas gati një vit nga bllokimi për qarkullimin e automjeteve, ku veç trafikut më i lodhshëm ishte debati për këtë çështje, do të rihapet sot për makinat. Ndonëse e papërfunduar plotësisht në ndriçim dhe punime të tjera, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, ka deklaruar hapjen e sheshit mëngjesin e 15 nëntorit, ndërkohë që edhe gjatë ditës së djeshme është lejuar lëvizja e disa makinave në qendër, të cilat kishin si drejtim qarkullimi rrugën për nga Stacioni i Trenit. Bashkia e Tiranës, me hapjen e qendrës së Tiranës bën të ditur për opinionin publik se si do të qarkullojnë automjetet në dhe përreth sheshit “Skënderbej”. Ashtu si dhe më parë, sheshi do të jetë pika kyçe e lidhjes së segmenteve përrreth qendrës. Me sistemin e ri të qarkullimit, të gjitha rrugët hyrëse në qendër janë me një kalim, ndërsa kur dalin nga sheshi janë me dy korsi dhe menaxhohen nga semaforët. Për shembull, makinat që hyjnë nga rruga e “Kavajës” apo e “Durrësit” do të futen në qendër me një korsi, ndërkohë që edhe dalja drejt këtyre dy rrugëve do të jetë e njëjtë, me dy korsi dhe me semaforë. Më konkretisht, skema e re e lëvizjes do të jetë e ndarë sipas 5 kryqëzimeve kryesore në qendër. Kështu, kryqëzimi te “Bulevardi Zog I” me rrugën “Ded Gjo Luli”, hyrja në shesh me një korsi dhe dalje nga sheshi me dy korsi. Ky segment do të menaxhohet me semaforë. Kryqëzimi te rruga e “Durrësit” me rrugën “Ded Gjo Luli”, hyrja në shesh me një korsi dhe dalje nga sheshi me dy korsi vetëm drejt dhe do të menaxhohet me semaforë. Kryqëzimi te rruga e “Kavajës” me rrugën “Ded Gjo Luli”, hyrja ne shesh me një korsi dhe dalje nga sheshi me dy korsi vetëm drejt dhe do të menaxhohet me semaforë. Kryqëzimi te rruga “Luigj Gurakuqi” me rrugën “George.W.Bush”, hyrja në shesh me një korsi dhe dalje nga sheshi me dy korsi vetëm drejt dhe do të menaxhohet me semaforë. Kryqëzimi te rruga e “Dibrës” me rrugën “Bardhok Biba”, hyrja në shesh do të bëhet nga rruga “Urani Pani” me dy korsi deri te ‘Bulevardi Zog I” dhe do të menaxhohet me semaforë. Ndërkaq, në të gjitha rrugët, brenda Unazës së Vogël do të jetë ndalim qëndrimi 24 orë në të dy krahët e tyre. Ndalohet qarkullimi i mjeteve përveç veturave dhe autobusëve urban qytetës, në brendësi të Unazës së Vogël të qytetit, me kufizim 24 orë, me përjashtim të mjeteve të shërbimit të urgjencave, zjarrfikësit. Subjektet dhe institucionet do të kryejnë veprimtarinë e tyre me autorizimet përkatëse sipas sinjalistikës së vendosur. Me ristrukturimin e sheshit “Skënderbej” do të ketë dhe disa ndryshime të stacioneve të linjave urbane. Autobusët e linjës Kinostudio-Kombinat dhe Ish-Uzina Dinamo-Sharrë do të qëndrojnë tek stacioni përballë Teatrit të Kukullave. Linja Tirana e Re do të qëndrojë në krah të 15-Katëshit dhe Muzeut Kombëtar. Linja e Laprakës dhe Instituti Bujqësor do të qëndrojnë përpara Muzeut Kombëtar, ndërsa për linjat e tjera nuk ka ndryshuar vendqëndrimi. Ndonëse do të lejohet qarkullimi i automjeteve, sipas bashkisë, punimet do të vazhdojnë me ndriçimin e sheshit “Skënderbej”, vendosjen e spoteve në trotuare, përfundimin e veshjeve të shkallëve tek Muzeu Kombëtar dhe Pallati i Kulturës.

Skema e re e qarkullimit

Skema se si do të realizohet lëvizja dhe vazhdimësia e punimeve është si më poshtë.

1. Qarkullimi i mjeteve në dhe përreth sheshit “Skënderbej”.

Rregullimi i qarkullimit të mjeteve në dhe përreth sheshit “Skënderbej” do të kryhet si më poshtë:

Kryqëzimi te “Bulevardi Zog I” me rrugën “Ded Gjo Luli”, hyrja në shesh me 1 korsi dhe dalje nga sheshi me 2 korsi dhe do të menaxhohet me semaforë.

Kryqëzimi te rruga e “Durrësit” me rrugën “Ded Gjo Luli”, hyrja në shesh me 1 korsi dhe dalje nga sheshi me 2 korsi vetëm drejt dhe do të menaxhohet me semaforë.

Kryqëzimi te rruga e “Kavajës” me rrugën “Ded Gjo Luli”, hyrja në shesh me 1 korsi dhe dalje nga sheshi me 2 korsi vetëm drejt dhe do të menaxhohet me semaforë.

Kryqëzimi te rruga “Luigj Gurakuqi” me rrugën “George.W.Bush”, hyrja në shesh me 1 korsi dhe dalje nga sheshi me 2 korsi vetëm drejt dhe do të menaxhohet me semaforë.

Kryqëzimi te rruga e “Dibrës” me rrugën “Bardhok Biba”, hyrja në shesh do të bëhet nga rruga “Urani Pani” me 2 korsi deri në “Bulevardin Zog I” dhe do të menaxhohet me semaforë.

Në të gjitha rrugët, brenda Unazës së Vogël do të jetë ndalim qëndrimi 24 orë në të dy krahët e tyre.

Ndalohet qarkullimi i mjeteve përveç veturave dhe autobuzëve urban qytetës, në brendësi të Unazës së Vogël të qytetit, me kufizim 24 orë, me përjashtim të mjeteve të shërbimit të urgjencave, zjarrfikësit.

Subjektet dhe institucionet do të kryejnë veprimtarinë e tyre me autorizimet përkatëse sipas sinjalistikës së vendosur.

2. Risistemimi i stacioneve të linjave urbane

Linjat urbane Kinostudio-Kombinat dhe Ish-Uzina Dinamo e re-Sharrë do të qëndrojnë te stacioni përballë Teatrit të Kukullave.

Linjat urbane Tirana e Re do të qëndrojnë te stacionet në krah të 15- Katëshit dhe Muzeut Kombëtar.

Linjat urbane Lapraka dhe Instituti Bujqësor do të qëndrojnë te stacion përpara Muzeut Kombëtar.

Linjat urbane Tufina, Porcelani dhe Sauku do të qëndrojnë në të njëjtin stacion si më parë te Kulla e Sahatit.

3. Punimet në vazhdim

Plotësimi i ndriçimit në sheshin “Skënderbej” dhe spoteve në trotuare.

Përfundimi i veshjes së shkallëve te Muzeu Kombëtar dhe Pallati Kulturës.

Përfundimi i punimeve të vogla rifiniture.

Përfundimi i hapësirës para Bankës së Shqipërisë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›