E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përmbytjet, Bashkia nis ndërhyrjet në kolektorë

Zgjidhet problemi te “Komuna e Parisit”, së shpejti edhe në rrugën “Don Bosko”.

Zeneli: Në buxhetin e vitit 2012 janë parashikuar fondet e domosdoshme në kolektorët e rrugëve

Këtë dimër, duket se Tirana do t’i “shpëtojë” përmbytjes së vazhdueshme nga reshjet e shiut, që në disa zona të kryeqytetit kanë qenë tepër problematike. E një nga këto zona është edhe ajo e “Don Boskos”, banorëve të së cilës në rastet e përmbytjeve u janë dashur çizme plastike deri në gju për t’u futur në banesat e tyre. Pikërisht nga kjo zonë, Bashkia e Tiranës ka nisur ndërhyrjet për sistemimin e kolektorëve të qytetit, për largimin e ujërave të shiut, si dhe për t’i dhënë zgjidhje një problemi shqetësues për qytetarët. Drejtori i Përgjithshëm i Menaxhimit të Shërbimeve, Taulant Zeneli dhe drejtoresha e Ndërmarrjes Nr.2, Luzhiana Abazi, shpjeguan masat që janë marrë dhe ato që parashikohen për t’u ndërmarrë në bashkëpunim me Ndërmarrjen e Ujësjellës-Kanalizimeve, mes të cilave është adresuar edhe zgjidhja që do t’i jepet përmbytjeve që shkaktoheshin edhe nga reshje të vogla shiu në rrugën “Don Bosko”, e kthyer prej kohësh në shqetësim për qytetarët dhe përdoruesit e mjeteve. Zeneli tha se në buxhetin e vitit 2012 janë parashikuar fondet e domosdoshme në kolektorët e rrugëve. “Sot ndodhemi në zonën e “Don Boskos”, e cila është një zonë problematike, përsa i përket largimit të ujërave të bardha apo të shiut. Pavarësisht investimeve të bëra më parë, aktualisht problematika vazhdon. Për këtë arsye, nga ana e bashkisë, në kuadër të përgatitjes së projekteve për buxhetin e vitit 2012, por në bashkëpunim të ngushtë edhe me Ndërmarrjen e Ujësjellës-Kanalizimeve e cila ka përgatitur një projekt, do mundësohet fillimi i punimeve për zgjidhjen e këtij problemi në këtë zonë dhe kjo do të vazhdojë më tej, me kompletimin e gjithë zonës nga ana e Bashkisë së Tiranës”, - tha Zeneli. Ndërsa, Luzhiana Abazi u shpreh se falë ndërhyrjeve të deritanishme është bërë e mundur sistemimi i kolektorëve në zonën e “Komunës së Parisit”, në bashkëpunim me Ujësjellës-Kanalizimet e Tiranës. “Sa i përket Drejtorisë Nr.2 të punëtorëve të qytetit janë marrë të gjithë masat, është bërë pastrimi i gjithë zgarave të ujërave të shiut, në të gjithë rrugët e qytetit, vazhdojmë akoma sot të bashkëpunojmë me Ndërmarrjen e Ujësjellës-Kanalizimeve, sepse realisht duhen makineritë e posaçme për këtë punë. Në këtë moment, mund të themi se është zgjidhur problemi shqetësues i rrugës ‘Komuna e Parisit’”, - tha Abazi. Sipas saj, i njëjti proces do të kryhet edhe në rrugën “Don Bosko”, ku do të ndërhyhet në kolektorin e kësaj zone, i cili me vendndodhjen aktuale nuk i jep zgjidhje ujërave të bardha të kësaj zone.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›