E Shtunë, 31 Tetor 2026

Defiçiti buxhetor, FMN-ja kërkon masa shtesë nga Kosova

Fondi Monetar Ndërkombëtar ka kërkuar nga qeveria e Kosovës ndërmarrjen e masave shtesë, në rast se dështon privatizimi i Post Telekomit të Kosovës që në fillim të vitit 2012.

Në rast se kjo ndodh, atëherë masat do të jenë të domosdoshme për të garantuar se qeveria ka mjete për të mbuluar deficitin buxhetor. Këto rekomandime i ka bërë FMN-ja pas përfundimit të vizitës së përfaqësuesve të saj në vend gjatë periudhës 2-javore të këtij muaji.

Krahas kësaj, stafi i FMN-së dhe autoritetet kosovare kanë arritur mirëkuptim që buxheti i vitit 2012, të ketë një deficit të përgjithshëm primar prej 3.2 për qind të Bruto Produktit të Përgjithshëm. Por problem për qëndrueshmërinë fiskale për vitin 2012, mbetet edhe më tej procesi i privatizimit të PTK-së.

“Nëse nuk arrihet asnjë progres i qartë drejt privatizimit të Postë-Telekomit të Kosovës (PTK) gjatë muajve të parë të vitit 2012, atëherë, sipas FMN-së, masat shtesë do të jenë të nevojshme për të garantuar se qeveria ka mbulesë adekuate financiare gjatë gjithë vitit të ardhshëm”, thuhet në vlerësimin e FMN-së.

Ndërkohë Ministria e Financave të Kosovës thonë se tashmë masat shtesë për të mbuluar deficitin buxhetor janë hartuar në përputhje më përfaqësuesit e FMN-së.
Në njoftimin që është postuar në ëeb faqen e FMN-së, thuhet se ekonomia e Kosovës është parashikuar të rritet me 5 për qind gjatë këtij viti.

“Sistemi bankar ka mbetur i qëndrueshëm, me likuiditet të shëndetshëm dhe me mbulesë e kapitalit”, thuhet në komunikatën e Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Ndërkaq, prishja e marrëveshjes me Fondin Monetar Ndërkombëtar e kishte detyruar qeverinë kosovare që gjatë muajit korrik të bëjë shkurtime buxhetore prej 60 milionë eurosh. Këto shkurtime më së shumti kishin prekur investimet kapitale.
Në këtë linjë ishin bllokuar 37 milionë euro, Korporatës Energjetike të Kosovës nga fondi dhjetëra milionësh për investime të alokuara si kredi për këtë korporatë dhe për të përmbushur shifrën 60 milionë euro, Ministria e Financave kishte bërë shkurtime buxhetore në kategorinë e mallrave dhe shpenzimeve.
 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›