E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hapja e Kutisë së Pandorës

Katër vjet e gjysëm në luftë me gënjeshtrën marrëzinë dhe paburrërinë” ka qënë titulli që Adolf Hitler ka dashur t’i japë autobiografisë së tij të pjesshme. Dikush që me sa duket merrte vesh nga marketingu dhe gazetaria, i ka këshilluar pagëzimin me të cilin e njohim edhe sot si “Mein Kampf”, thënë shqip “Lufta ime”. Si libër i një pretendenti për pushtet me të cilin do të prezantojë veten është i mërzitshëm, i lodhshëm, i gënjeshtërt dhe i padobishëm. Është i mërzitshëm pasi libri është shkruar nga dikush që përveç zhgaravinave histerike që botonte në gazetën e tij “Volkisher Beobahter”, nuk kishte bërë asnjë sprovë tjetër letrare. I lodhshëm, pasi është bezdi të lexosh mendimet e një njeriu që nuk kishte mbaruar gjimnazin, tek flet për artin, kulturën, sistemin parlamentar, gjenezën e popujve dhe njëmijë tema në të cilat një mëndje e shkapërdredhur shëtit. I gënjeshtërt pasi të kaluarën e tij, faktet apo të ardhmen e shikon sipas formimit apo interesit, duke anashkaluar analizën historike apo të dhënat e saj. Dhe i padobishëm, pasi sot pas gjashtëdhjetë e ca vjetësh, gërmadhat dhe hekatombat njerëzore që prodhoi janë ende të freskëta në kujtesën e njerëzimit. Njeriu që për një çudi të fatit erdhi në krye të kombit më të madh, kulturuar, disiplinuar dhe punëtor të Europës, e ktheu në një makinë vrasëse duke detyruar botën e qytetëruar të derdhte lumenj gjaku për ta vënë nën fre, ndërsa kombin të cilin drejtoi, të jetojë edhe sot e kësaj dite mbas luftës së dytë me ndjenjën e fajit. Ngriti mekanizmat shfarosëse industriale të kundërshtarëve të tij, të cilët ishin nga ata ideologjikë dhe deri në ata racorë, që mëndja e tij e fandaksur, si një shumatore e mendjeve të sëmura të së shkuarës, i klasifikoi duke zhdukur me të njëjtin zell ithtarë të liberalizmit dhe marksizmit, ciganë, sllavë, dhe hebrej.
Të shkruash për të, mund të shëmbëllejë si reklamë. Nuk ka asgjë të keqe botimi i tij, nëse do lexohej nga mëndje të përgatitura e kulturuara të cilat janë në gjendje të dallojnë të mirën nga e keqja, mediokritetin nga talenti, të vërtetën nga gënjeshtra. Por, do lexohet edhe nga njerëz që për shkak të mangësive kulturore, boshllëqeve të formimit historik, ky libër bëhet i rrezikshëm. Dhe helmi tij hyn pa kuptuar. I shkruar me fakte empirike të mbledhura lart e poshtë apo të thëna e thashë, nga ato të cilat sot i quajmë legjenda urbane; të thjeshtëzuara sipas metodës sofiste, e bëjnë librin aspak tërheqës për vlerat e tij, por të rrezikshëm për mendjet e pa përgatitura. Pak udhëheqës kanë parë shqiptarët që me një formim të cekët kulturor dhe historik, me fjalor të varfër dhe të të gdhenjtë, por me njohje diabolike të psikologjisë dhe intrigës njerëzore dhe veçanërisht asaj shqiptare, kanë ardhur në krye të vendit dhe nuk i janë shqitur veçse kur ka ndërhyrë Zoti apo bota? Të paktën shtatëdhjetë vjetët e fundit e dëshmojnë këtë. Ndaj nxjerrja në dritë e këtij libri është një bast i madh për botuesit shqiptarë. Libri është shembull si mendjet e cekëta arrijnë të manipulojnë turmat, por duhet edhe një punë e madhe sqaruese për të zhveshur sajesat e Hitlerit. Në një shoqëri si kjo e jona ku leximi i librave është në minimum dhe literaturës historike ca më shumë; publiku i gjerë është pasiv dhe pret ta marrë njohurinë dhe informacionin nëpërmjet medias vizive, botimi i librit mund të shërbejë si hapje e kutisë së Pandorës. Aq më shumë në vende si yni që ka dalë nga komunizmi dhe instinkti për tu hedhur në ekstremin tjetër është gjithmonë eminent. Ca më shumë që në psikikën tonë ka një ngulesë për dashurinë që kanë pasur hitlerianët për kombin tonë. E vërteta është krejt ndryshe.
Për t’i kursyer vetes dislokimin në Ballkan të trupave të cilat i duheshin në frontet e mëdha, Hitleri luajti me mjeshtëri me inatet shumëshekullore të fqinjëve po aq shekullorë të këtij gadishulli, duke bërë që ballkanasit të merreshin me njëri-tjetrin. Kjo solli kursimin e trupave pushtuese në rajon, por ndezi edhe një luftë ndëretnike e cila ende sot e kësaj dite i shikohet tymi i gërmadhave. Kjo lojë diabolike, krijoi në mendjet e varfra të autoktonëve legjenda mbi prejardhjen ariane, siç është dukshëm rasti i shqiptarëve. Nuk ka shqiptar që mos ketë dëgjuar dhe shumë prej tyre kanë besuar se janë arianë dhe gjermanët i kanë për zemër. Asgjë më të pavërtetë nuk ka në këtë legjendë urbane. Në Luftën e Dytë Botërore, ashtu si në gjithë vendet e tjera gjermanët krijuan divizionet SS, dhe në Shqipëri të quajturin “Skënderbeg”. Nga të gjithë, ishte më i dobëti në luftime ku rekrutët regjistroheshin për të marrë rrobat, këpucë dhe një pushkë, e për t’ja mbathur të nesërmen. Pasi dezertuan më shumë se treçereku, e shkrinë. E gjitha kjo nuk kishte si mos shkaktonte përbuzje te një njeri cinik si Hitleri dhe dishepujt e tij. Shto dhe faktin se kishte një lëvizje guerilje të vogël por të pamposhtur, e vërteta është se nuk kishte asnjë dashuri naziste për ne. Thjesht na kanë përdorur kur kanë mundur për arsyet e tyre. Por sot këto gjëra janë harruar, dhe njerëzit pëlqejnë të besojnë atë që duan dhe ju shkon për hosh. Ndaj lind nevoja për botime serioze që tregojnë bëmat e llahtarshme të nazizmit. Fqinjët tanë dhe bota e qytetëruar nuk rresht së bëri. Edhe botuesit tanë meqë morën iniciativën ta hedhin në treg veprën e serial killerit më të madh të gjithë kohërave, duhet të ndjekin shembullin e homologëve të tyre në botë. E sintetizon këtë nevojë një thënie e Profesor Pëllumb Xhufit në një intervistë të tij : Jam dakord të botohet ‘Main Kampf’, por bashkë me të, të botohet edhe ditari i ‘Ana Frankut’ “.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›