E Diel, 1 Nëntor 2026

Vjedhje në hekurudhë, rrezikohen pasagjerët

LUSHNJE – Dhjetëra pasagjerë që udhëtonin ditën e djeshme me trenin e linjës Vlorë-Tiranë, për pak janë përballur me vdekjen. Masakrimi që po u bëhet linjave hekurudhore shqiptare, ku pjesë të ndryshme metalike po vidhen për tu shitur për skrap, për pak është kthyer në një tragjedi në qytetin e Lushnjës. Fatmirësisht, vëzhguesi i linjës Lushnjë-Rrogozhinë ka konstatuar dhe ka njoftuar në kohë për dëmtimin që është kryer në këtë aks të hekurudhës gjatë natës së të enjtes, duke shmangur kështu një aksident me pasoja të rënda, si për pasagjerët, ashtu edhe për personelin e trenit. Pas dhënies së alarmit, treni është ndalur në stacionin e Lushnjës dhe nuk e ka vazhduar udhëtimin e tij. Ndërsa më shumë se 50 pasagjerë që kishin zgjedhur të udhëtonin prej Vlorës e Fierit drejt Tiranës, janë detyruar të gjejnë mjete të tjera për të shkuar në destinacionet e tyre. Nga hetimet paraprake është konstatuar se është kryer vjedhja e pllakave mbështetëse të shinave mbi traversa. Vëzhguesi i linjës hekurudhore Lushnjë-Rrogozhinë, Musa Ibraliu, është shprehur për policinë se vjedhja ka nisur që prej katër ditësh dhe tashmë janë hequr pllakat mbështetëse prej metali, në një gjatësi prej dy kilometrash të hekurudhës. Pllakat e hekurta të mbështetjes së shinave mbi traversa kanë qenë gjahu i radhës për grabitësit e paligjshëm të skrapit. Nga specialistët e hekurudhave mësohet se vetëm një pllakë së bashku me gozhdët e saj peshon rreth 5.7 kilogramë. Pas këtij procesi është kryer edhe çmontimi i pllakave fiksuese, ku sipas të dhënave paraprake mësohet se mungojnë mbi 350 të tilla. m.r

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›