Kuvendi 2012, Konsensus, konsulta me biznesin dhe shoqërinë civile
Tiranë- Lëvizja MJAFT bëri sot publik raportin e rrallës mbi Monitorimin e Veprimtarisë së Kuvendit të Shqipërisë, duke e cilësuar këtë veprimtari si ‘të kenaqshme’.
I përqendruar në monitorimin periodik të punës parlamentare nga Skuadra ‘UnëVotoj’ jepen të dhënat e monitorimit të veprimtarisë parlamentare për periudhën janar-shkurt 2012 gjatë së cilës janë diskutuar dhe miratuar në Kuvendin e Shqipërisë 20 nisma ligjore.
‘Vlerësojmë se veprimtaria e Kuvendit të Shqipërisë për periudhën janar-shkurt 2012, ka qenë e një niveli të kënaqshëm, ku veç konsultave të shpeshta dhe konstruktive me grupet e interesit dhe shoqërinë civile, ka mbizotëruar fryma e konsensusit dhe e bashkëpunimit mes palëve politike në Kuvendin e Shqipërisë’- thuhet në raport.
Sa i takon performancës së Kuvendit në seancat dëgjimore me grupet e interesit gjatë monitorimit të punimeve parlamentare u vu re ‘një përmirësim i ndjeshëm në praktikën e seancave dëgjimore dhe konsultative të parlamentareve me përfaqësues nga grupet e interesit për nisma të caktuara ligjore të cilat kanë impakt të drejtpërdrejtë social dhe ekonomik te këto grupe’.
Një nga çështjet më të rëndësishme të këtij raportimi është ajo e respektimit të Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë nga deputetët, gjatë seancave plenare dhe mbledhjeve të komisioneve parlamentare u vu re se në katër raste është shkelur rregullorja.
Nga analiza e të dhënave të marra nga monitorimi rezulton që gjatë periudhës janar-shkurt 2012, të jenë konsumuar katër raste të shkeljes së parashikimeve të Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë, nga të cilat tre raste përbëjnë shkelje të nenit 34 të Rregullores se Kuvendit të Shqipërisë, ku përcaktohet vlefshmëria e mbledhjeve të komisioneve të përhershme parlamentare; ndërsa rasti i katërt ka të bëjë me dhunimin e nenit 57 të Rregullores, i cili përcakton karakterin vetjak të votës dhe mos delegimin e saj- thuhet më tej në raport.
Sa i takon monitorimit të votimit në Kuvend, raporti konkludon se: “Në seancën plenare të datës 16 shkurt 2012, gjatë procesit të votimit të nismave ligjore, deputeti i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, z. Skënder Hasa ka votuar, në mënyrë abuzive dhe në kundërshtim me Rregulloren e Kuvendit të Shqipërisë për kolegun e tij z. Asllan Dogjani, projektligjin “Për Ratifikimin e Marrëveshjes, ndërmjet Këshillit te Ministrave te Republikës se Shqipërisë dhe Qeverise se Republikës se Sllovenisë, për shlyerjen e borxhit te Republikës se Shqipërisë ndaj Republikës se Sllovenisë’.
Puna e Komisioni të Integrimit gjatë periudhës së monitoruar është cilësuar shumë më aktive krahasuar me vitet e shkuara, me një sërë mbledhjesh të zhvilluara.
‘Performanca dramatike e këtij komisionit të Integrimit, vërejtur gjatë legjislaturës së shkuar (6 mbledhje në 3 vjet), ngrenë nevojën e një monitorimi të dedikuar. Ndryshe nga legjislatura e kaluar, veprimtaria e Komisionit për Integrimin Evropian ka qenë mjaft aktive, për periudhën shtator 2011- Shkurt 2012, ku për periudhën në fjalë janë zhvilluar 25 mbledhje të këtij komisioni’- thuhet në raport.
Një tjetër pikë delikate që prek raporti i ‘Majft’ është edhe transparenca dhe aksesi në dokumentacionin e Kuvendit.
Lëvizja Mjaft i ka dërguar Kuvendit të Shqipërisë 6 Ankesa Administrative, në vijim të komunikimit zyrtarë me këtë institucion. Këto shkresa ankuese i janë dërguar Kuvendit të Shqipërisë në datë 10.02.2012 dhe megjithëse ka kaluar afati 30 ditor për ankimet administrative, ende nuk kemi marrë një përgjigje zyrtare nga Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë’- thuhet në raport.
Sa i takon gjuhës dhe nivelit të përdorur nga deputetët në Kuvend në diskutimet parlamentare në raport thuhet se: ka qenë në mënyrë të vazhdueshme ne fokusin e medias, për nivelin e ulët të cilësisë. Fryma e politizimit të diskursit parlamentar ka bërë në jo pak raste të zbehet debati profesional dhe teknik që duhet të shoqëroj arsyetimin e një nisme ligjore. Ndryshe paraqitet situata për periudhën janar-shkurt 2012, ku ne Kuvendin e Shqipërisë ka mbizotëruar fryma pozitive e bashkëpunimit dhe e diskutimit konstruktiv mes pozitës dhe opozitës për ndryshimin e disa projektligjeve të rëndësishme.
Raporti i prezantuar sot është një botim periodik i Lëvizjes MJAFT. Në fokus ka monitorimim, analizimim dhe vlerësimim e jetës parlamentare.
Dorina Bilbili/IDEA
Shkrime të tjera me interes:
- Sequi: Politika të rrisë dialogun me shoqërinë civile Tiranë- Ambasadori i BE- së në Tiranë, Etore Sequi, ka...
- Pollo me shoqërinë civile: Bashkëpunim për qeverisje të hapur Tiranë- Ministri për Inovacionin dhe TIK, Genc Pollo ka zhvilluar...
- Dialog dhe konsensus —-Dorian Koçi—- Javët e para të tetorit filluan duke...