E Shtunë, 31 Tetor 2026

Haradinaj: Të mbështetet iniciativa e SHBA, ndërhyni në Siri!

PRISHTINE- Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK)  përshëndet të gjitha vendet dhe mekanizmat ndërkombëtarë, që po ftojnë për ndërhyrje sa më të shpejtë në Siri, për të ndalur gjenocidin dhe terrorin e regjimit diktatorial të al-Aasadit kundër popullsisë civile atje.

Sipas zyrës së shtypit të kësaj partie, Kreu i AAK-së po i përcjell me vëmendje dhe shqetësim të thellë ngjarjet në frontet e Sirisë, dhe e konsideron të tmerrshëm sulmin me bomba napalm ndaj civilëve në qytetin Alepo, ashtu si dhe sulmet me armë kimike, ditë më parë, që morën edhe jetët e shumë fëmijëve.

"Krimi i regjimit të al-Aasadit ndaj civilëve në Siri, po merr përmasa shqetësuese dhe prekë thellë në ndërgjegjen e të gjithë popujve dhe vendeve demokratike të botës. Ne në Kosovë e kemi ende të freskët ndërhyrjen perëndimore ndaj gjenocidit që regjimi i Beogradit bëri mbi popullin tonë, andaj konsiderojmë se një ndërhyrje sa më e shpejtë në Siri, do të parandalonte shtrirjen në përmasa edhe më të gjëra të gjenocidit nga një regjim mbi një popull të tërë në Siri", shprehet Haradinaj.

"Në këtë moment ftojmë bashkësinë ndërkombëtare që ta mbështesë iniciativën e vendeve demokratike, me në krye SHBA-të, për ndërhyrje të menjëhershme dhe efikase ndaj regjimit që po bën gjenocid mbi popullin e Sirisë", thuhet në deklarimin e kryetarit Haradinaj për zhvillimet në Siri.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›