E Diel, 1 Nëntor 2026

Haradinaj ka komunikim të vazhdueshëm me Ugandën

Janë bërë gati një vit e gjysmë që kur kreut të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinajt, i është kërkuar nga kryengritësit myslimanë në Ugandë që të ndërmjetësojë për zgjidhjen e problemit mes tyre dhe qeverisë ugandeze. Ndërkohë që nga ajo kohë kur ky lajm u dha me pompozitet, nuk ka pasur më asnjë njoftim se çka ndodhi me këtë ftesë. Zyrtarët e AAK-së thonë se Haradinaj është në kontakte të vazhdueshme me Ugandën.

Avni Arifi, këshilltar i liderit të AAK-së, ka thënë për Kosovapress se nuk është i njoftuar me detajet e komunikimeve të shefit të tij me palët në Ugandë, por ka thënë se këto komunikime janë të vazhdueshme.

“Kjo është një temë që i tejkalon përmasat partiake. Pra në cilësinë e kryetarit të partisë, ne nuk kemi kërkuar nga kryetari që të shpjegojë se ku ka mbetur kjo çështje. Çka mund të them unë në cilësinë e këshilltarit të tij, është se ka pasur komunikim të vazhdueshëm dhe se ku janë rezultatet dhe se a do të ketë ndonjë kyçje aktive, nuk jam në pozicion të përgjigjem në një pyetje të tillë”, ka thënë Arifi.

Arifi ka mohuar që AAK-ja e kishte marrë me pompozitet ftesën e kryengritësve myslimanë në Ugandë, duke thënë se kjo temë më tepër ka qenë pompoze nëpër media ndërkombëtare, e pastaj edhe në ato vendore.

Në muajin shkurt të vitit 2009, ish kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, i është kërkuar nga kryengritësit myslimanë në Ugandë që të ndërmjetësojë bisedimet e paqes me qeverinë ugandeze. Ky lajm ishte bërë i ditur nga agjencia e lajmeve AFP, e cila duke cituar zëdhënësin e kryengritësve, ka thënë se Haradinaj është zgjedhur si personi më i përshtatshëm për ndërmjetësuar, pasi që ai ka kaluar nëpër shumë përvoja, përfshirë edhe atë të luftëtarit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›