E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpërfillje totale

Misioni i Bashkimit Europian nuk po i përfill kërkesat e institucioneve të Kosovës lidhur me vizitat e paautorizuara të zyrtarëve të Serbisë.

Ardhja e ish-kryeministrit serb, Vojislav Kostunica, i përcjellë me njerëz të armatosur, nuk është vizita e parë e zyrtarëve serbë që bëhet pa lejen dhe dijeninë e institucioneve vendore.

Javën e kaluar, Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka kërkuar nga Pieter Feith dhe Iv de Kermabon që të mos ketë vizita të paautorizuara të përfaqësuesve të Serbisë, sepse përndryshe, ai ka paralajmëruar se do të përdoren të gjitha mjetet për t’i parandaluar ato.

Këtë porosi, ai e ka përcjellë te Shefat e ICO’së dhe të EULEX’it, nëpërmjet një letre, më 20 maj, një kopje të së cilës e ka siguruar Expressi.
Zëvendëskryeministri ka vendosur t’u shkruajë dy zyrtarëve më të lartë ndërkombëtarë, për shkak se disa ditë më herët, njëjtë si Kostunica, në Kosovë ka hyrë edhe ministri serb i Arsimit, Zarko Obradovic.

Kuçi ka shkruar se Qeveria e Kosovës nuk ka qenë e informuar për këtë vizitë të ministrit serb.

“Gabime të tilla të rënda nuk duhet të lejohen”, thuhet në letrën e tij.

“Kështu që, të nderuar zotërinj, nëse kjo përsëritet, më duhet të ju njoftoj se Republika e Kosovës do t’i përdorë të gjithë mekanizmat e vet adekuatë për të dëbuar çdo vizitor të paautorizuar”, thuhet në letrën e Kuçit.

Zëvendëskryeministri ka shprehur besimin “se kjo nuk do të përsëritet më” dhe se do të ketë bashkëpunim të mirë dhe mirëkuptim mes institucioneve vendore dhe atyre ndërkombëtare lidhur me vizitat nga Serbia.
Ndërkaq, edhe të hënën, misioni i BE’së nuk i ka njoftuar zyrtarisht institucionet kosovare se përse u lejua hyrja e Kostunices në Kosovë me truproja të armatosura.

Zyrtarë të EULEX’it dhe përfaqësues të Policisë së Kosovës kanë dhënë arsyetimet e veta se pse nuk kishte kurrfarë reagimi nga ana e tyre.

Zëdhënësja Kristiina Herodes ka thënë se nuk janë informuar nga askush për të reaguar për vizitën pa leje të ish-Kryeministrit serb.

“Sipas rregullave, vizitat e zyrtarëve serbë duhet të lajmërohen në Zyrën e BE’së e pastaj në Policinë e Kosovës. Këto dy institucione nuk kanë kërkuar reagimin tonë. E kemi kuptuar që zyrtarët serbë që qëndruan në Veri, nuk i kanë respektuar rregullat për të hyrë në Kosovë, por askush nuk ka kërkuar nga ne që të reagojmë”, ka thënë ajo për RTK’në.

E pyetur se a do të ketë reagim në të ardhmen për ata zyrtarë serbë që nuk i respektojnë rregullat për të hyrë në Kosovë, zëdhënësja Herodes ka thënë se nëse nuk informohen nga Zyra e BE’së dhe Policia e Kosovës, nuk mund të reagojnë.

Por, koloneli Shaban Guda, ndihmësdrejtor i Policisë kufitare, ka thënë për Express se EULEX’i është përgjegjës për pikën kufitare ku ka hyrë Kostunica.

“Policia e EULEX’it në fakt është dashur të na njoftojë ne, e jo ne ata, sepse ata janë përgjegjës për atë pikë kufitare. Policia e Kosovës në atë pikë kufitare është nën zinxhirin komandues të EULEX’it”, sqaron Guda.

Shefi i Policisë kufitare tha se janë kërkuar sqarime nga EULEX’i për kalimin e kufirit nga ana e delegacionit serb, e sidomos për lejimin e personave të armatosur që janë futur bashkë me Kostunicën nga Serbia në Kosovë.

“Ne ende nuk kemi marrë shpjegim zyrtar nga EULEX’i se si ka mundur të ndodhë kjo. Jemi duke pritur përgjigje nga kolegët tanë të EULEX’it”.

Guda thotë se hyrje të tilla të delegacioneve serbe mund të përsëriten.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›