Haradinaj kritikon politikën e jashtme të qeverisë

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, deklaroi se politika e jashtme e ndjekur nga qeveria është për t'u kritikuar. Sipas Haradinajt "Në Kosovë janë duke u krijuar humbje në politikën e jashtme, në atë të sigurisë, politikën ekonomike e deri te humbja e cilësisë së demokracisë së krijuar nëntë vite radhazi". Kreu i AAK-së këmbënguli edhe një herë se gjatë këtij viti, në shtetin e sapokrijuar nuk do të mbahen vetëm zgjedhje komunale, por edhe parlamentare. "Jemi në vitin zgjedhor, do të mbahen dy palë zgjedhje. Ato parlamentare dhe komunale, andaj për këto zgjedhje kërkohet përgatitje e madhe. Ne kemi filluar me komunitetin e ekspertëve", tha Haradinaj. Këto deklarata Haradinaj i bëri në takimin e kryesisë së re të Aleancës së Gruas së Kosovës.